Deputeti shqiptar Shaip Kamberi ka mbajtur dje një fjalim të fuqishëm në Kuvendin e Serbisë, ku kërkoi miratimin e një Rezolute që synon garantimin e të drejtave qytetare, politike dhe kombëtare për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kamberi theksoi se kjo nismë nuk është as ekstreme dhe as separatiste, por një kërkesë thellësisht demokratike dhe evropiane.
Në fjalën e tij, ai u shpreh se Serbia duhet të plotësojë standardet e të drejtave të njeriut përpara se të synojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Nëse dëshirojmë që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian, ajo më parë duhet të hyjë në Evropën e të drejtave, e jo vetëm në Evropën e tregut,” deklaroi Kamberi.
Deputeti theksoi se shqiptarët e Luginës së Preshevës prej më shumë se dy dekadash përballen me diskriminim institucional, përfshirë pasivizimin e adresave, kufizimin e të drejtave zgjedhore, mosrespektimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, mosnjohjen e diplomave të Kosovës dhe mungesën e përfaqësimit në institucionet shtetërore.
Sipas tij, mijëra qytetarë janë privuar padrejtësisht nga të drejtat bazë, ndërsa të rinjtë po largohen për shkak të mungesës së perspektivës.
Kamberi kujtoi se Serbia ka marrë prej vitit 2001 e deri më sot disa angazhime për integrimin e shqiptarëve, por ato, sipas tij, “kanë mbetur fjalë të vdekura në letër”.
“Kuvendi ka sot mundësinë të rikthejë besimin”
Duke kërkuar mbështetjen e deputetëve, Kamberi tha se kjo Rezolutë nuk është në dobi të një komuniteti të vetëm, por në interes të drejtësisë dhe të së ardhmes evropiane të Serbisë.
“Lugina e Preshevës nuk kërkon më shumë se barazinë. Nuk kërkon premtime të reja, por zbatimin e atyre të dhëna para 20 vjetësh,” deklaroi ai, duke i bërë thirrje Kuvendit të marrë përgjegjësinë dhe të tregojë se shteti është garantues i të drejtave të qytetarëve të tij.
Tregu shqiptar i real estate ka hyrë në një fazë transformimi të thellë, ku projektet me vlerë të qëndrueshme,...