Profesori amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka kritikuar ashpër pretendimet e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, se kishte ndaluar shpërthimin e një lufte midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një shkrim të publikuar të dielën në platformën “Truth Social”, Trump pretendoi se kishte parandaluar një konflikt të armatosur mes dy vendeve gjatë mandatit të tij.
Por, Serwer e cilëson këtë deklaratë si të pavërtetë dhe paralajmëron se përfshirja e Trump në çështjet e Ballkanit mund të sjellë pasoja edhe më të rënda.
“Çdo përpjekje që ai bën tani mund të shkaktojë edhe më shumë dëme, për shkak të prirjes së tij për ndarjen e Kosovës”, shkruan Serwer.
Sipas tij, Ballkani është trazuar pikërisht sepse Trump e ka përmendur rajonin dhe, sipas skenarëve që po shqyrtohen në rrethin e ish-presidentit amerikan, mund të ofrohet një marrëveshje për shkëmbim territori mes Kosovës dhe Serbisë.
“Pëshpëritësi i tij për Ballkanin, Ric Grenell, mendon se kjo është një ide e shkëlqyer. Ai do ta ofrojë si shkëmbim territori. Veriu me shumicë serbe i Kosovës do t’i kalonte Serbisë, dhe komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë do t’i kalonin Kosovës. Tingëllon bukur, sidomos nëse je një nacionalist etnik. Trump dhe Grenell janë nacionalistë etnikë të përkushtuar të llojit supremacist të bardhë”, shkruan Serwer.
Por, sipas tij, ky plan nuk është i pranueshëm as për Serbinë.
“Ata preferojnë ta mbajnë të gjithë jugun e Serbisë, ku kalon një rrugë kyçe për në Selanik dhe Mesdhe. Prandaj Beogradi po bën çmos për t’i larguar shqiptarët prej andej”, thekson Serwer.
Ai paralajmëron se Kosova nuk duhet të hyjë në asnjë diskutim për shkëmbim territoresh.
“Kryeministri Kurti, apo pasardhësi i tij, do të bënte mirë të mos lejonte ndonjë diskutim për shkëmbim në agjendë,” këshillon Serwer.
Profesori amerikan thotë se aktualisht edhe një president i SHBA-së me kapacitet të plotë do ta kishte të vështirë të merrej me Ballkanin, ndërsa një president si Trump, sipas tij, është i paaftë të ofrojë zgjidhje.
“Një president i çoroditur si Trump nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të marrë merita për gjëra që s’i ka bërë dhe të premtojë më shumë. Por ai po dështon kudo: Gaza, Irani, Ukraina dhe tregtia janë të gjitha në kaos”, shkruan ai.
Në këtë kontekst, Serwer u bën thirrje palëve në Ballkan të mos kërkojnë ndihmë nga figura si Trump apo Grenell.
“As Serbisë dhe as Kosovës nuk u duhet ndihma nga njerëz si Ric Grenell apo Donald Trump”, thekson ai.
Serwer shprehet skeptik edhe për dialogun e deritanishëm politik të zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE-së, duke e cilësuar të pasuksesshëm.
“I gjithë dialogu politik që nga viti 2013 ka prodhuar pak ose aspak rezultate. Dialogu teknik që i parapriu kësaj përpjekjeje ka prodhuar shumë më tepër: një kod telefonik për Kosovën, njohja e ndërsjellë e dokumenteve, rregullimi i pagesave për energjinë elektrike dhe kontrolli i integruar i kufijve – këto kanë qenë arritje reale për qytetarët,” shkruan Serwer.
Sipas tij, Beogradi duhet të gjejë një mënyrë për të rifilluar procesin e anëtarësimit në BE, që përfshin edhe zbatimin e marrëveshjes së arritur në vitin 2023, të cilën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka refuzuar të nënshkruajë.
Në fund, Serwer kërkon që edhe BE-ja të përshpejtojë heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
“Kosova ende po vuan nën sanksionet e pajustifikuara të BE-së për veprime që askush nuk i mban mend. Brukseli ka filluar procesin e heqjes së tyre dhe duhet ta përfundojë sa më shpejt”, përfundon ai./Telegrafi