Autor: Arbër Halilaj
Pikërisht sot, më 5 mars 2021, bëhen 23 vjet të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe Jasharëve të tjerë.
Ajo që ndodhi në fillim marsin e vitit 1998 ishte një dëshmi e qartë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik se në Ballkan frymon një popull i lashtë, por i shtypur padrejtësisht gjatë tërë historisë.
Prekazi dhe e gjithë Drenica, gjatë tërë historisë e sidomos në shekullin e fundit, përjetuan përplot luftëra kundër pushtuesve dhe heroizma të bijave e bijve më të mirë!
Ngjarjet historike të Marsit 1998, që ishin kaq të drejtpërdrejta, kaq të fuqishme dhe unike për nga përmasat e qëndresës e të sakrificës, e ngritën çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore dhe e përshpejtuan arritjen e lirisë dhe krijimin e shtetit tonë.
Me aktin e rënies së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve tjerë, UÇK u rrit dhe u forcua shumë, ndërsa Kosova mundi frikën dhe i hapi vetes shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë, duke e vulosur faktin se nga data 5 Mars 1998 e ardhmja jonë do të marrë një kthesë historike! Sot dhe në çdo përvjetor, kolosi i kombit, strategu e vizionari, korifeu i lirisë sonë –
Adem Jashari, vjen duke u bërë edhe më i lavdishëm, madhështia e tij vjen duke u rritur me kalimin e viteve, ndërsa sakrifica e tij unike merr përmasa kolosale, duke e bërë të veçantë në tërë historinë shqiptare dhe botërore.
Nuk është vetëm trimëri, sakrificë, vetëflijim, heroizëm…… është më shumë sesa kaq, sepse është diçka më unike dhe në fakt, gjuha jonë nuk ka fjalë që e përshkruan si e sa duhet këtë ngjarje! Kur thuhet emri Adem Jashari, çdo epitet mbetet i zbehtë, i vogël dhe i pafuqishëm për të shprehur madhështinë dhe lavdinë e tij.
Kurdo që jemi të zhgënjyer, të pashpresë apo të frikësuar për të ardhmen, duhet të kujtojmë emrin dhe veprën e tij, për të marrë kurajo dhe motiv për të ecur përpara edhe më të fortë!
Fakti që Ai me vetëdije të plotë sakrifikoi kaq shumë për kombin, duhet të jetë obligim për çdo shqiptar, duke filluar nga qeveritarët e deri tek punëtoria, rinia dhe secili prej nesh, që çdo mëngjes të pyesim veten: “sa jemi duke punuar për idealet dhe duke e mbrojtur sakrificën kolosale të Komandantit dhe gjithë dëshmorëve tjerë ndër breza, për Kosovën?”. Ai flijoi gjithçka për shtetin dhe lirinë tonë, e neve sot nuk po na kërkohet flijimi fizik, por zhvillimi dhe përparimi i vendit. Ai e bëri të veten, po ne?
Emri Adem, përveç që është emër hyjnor – emri i të parit të njerëzimit, poashtu është emri i të parit të lirisë sonë, arkitektit të Kosovës së lirë, vizionarit më të madh që pati shqiptaria – Adem Jasharit kolosal. Liria është e shenjtë dhe jetike për çdo popull e shtet, prandaj çdo popull ka dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, por asnjë komb në botë nuk e ka një vigan unik, siç e kemi ne ADEM JASHARIN.
Sa herë vjen marsi, gjithmonë na sjell dhimbje e mallëngjim, por më shumë sesa kaq, lufta dhe përjetësia e Adem legjendarit dhe heronjëve tjerë është një epope e krenarisë, e cila fëmijët e Kosovës do t’i përcjellë brez pas brezi, nëpër shekuj.
Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës, ora e parë mësimore duhet t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për liri. Fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë, do të rriten dhe do të jetojnë pa frikë nën lavdinë e heronjve, në shtetin e ndërtuar me gjak e vuajtje shekullore, shtetin që duhet ta bëjmë sa më të fortë, meqë në themelet e lirisë së tij është i skalitur me gjak një emër i madh, hyjnor-ADEM JASHARI!
Respekt dhe nderim i përjetshëm për vizionarin e madh, Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e kombit ! “Bota filloi lëvizjet pikërisht prej Prekazit. U bëmë të vetëdijshëm për një realitet të sakrificave dhe luftimeve që u bënë dhe sikur të kishte Çmim Nobel të Lirisë, ai i takon familjes Jashari” – /Bernard Kouchner/