Serbisë i duhet De Gaulle por a mund të jetë ky Vučić-i? - Gazeta Express
string(55) "serbise-i-duhet-de-gaulle-por-a-mund-te-jete-ky-vucic-i"

Serbisë i duhet De Gaulle por a mund të jetë ky Vučić-i?

OP/ED

Gazeta Express

07/05/2022 16:11

Serbët normalë janë lodhur në rresht me Rusinë, Kinën, Bjelorusinë e Venezuelën, ata ëndrrojnë që një ditë të dalin nga rreshti, porse edhe kjo i frikëson!?

Aleksandar Vučić-it, politikan nacionalist, i cili përgjatë luftrave në ish Jugosllavi mori anën e fashizmit të Milošević-it (ishte Ministër propagande) me të krisë lufta në Ukrainë iu krijua shansi i fundit që vërtet të jetë De Gaulle serb, duke e njohur Kosovën shtet, që njëherit do të thotë edhe heqje e një barre të rëndë nga qafa, jo veç historike por edhe nga ndërgjegja serbe…

Lexo Edhe:

Shkruan: Halil Matoshi

Aktori e regjisori i famshëm serb, Miki Manojlivić e përshkruajti ‘voždin’ Aleksandar Vučić si De Gaulle serbian!?

Dhe u përball me shumë kritika të vrazhdëta nga çarqet klerofashiste serbe.

A do t’i përmbushet parashikimi aktorit Manojlović?

Aleksandar Vučić, ditën që Rusia nisi agresionin ndaj Ukrainës u shfaq i frikësuar dhe i dorëzuar nga Monako, sikur deshti ta bëjë të përbotshëm kumtin se populli e jo shteti serb dhe mediat janë fort në përqafimin e ariut rus!?

Ndoshta turmat mund të jenë proruse, siç edhe dëshmuan në manifestime, por ajo që tha për mediat ishte e gënjeshtërt, sepse ato i kontrollon vet!?

Kjo u pa kur Vladimir Putin bëri krahasimin e Kosovës me Donbasin (Dontesk e Luhanski) e mediat e Beogradit si në kor u kthyen kundër tij dhe Kremlinit: “Thikë mas shpine për Serbinë”, thanë!

Titujt kundër Vladimir Putinit në faqet e para të gazetave serbe, ashiqare ka të bëjë me përgatitjen e terrenit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nga ana e Serbisë.

Serbia e ka dënuar zyrtarisht, dy herë ngjim, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së agresionin rus në Ukrainë, por nuk i ka vënë sanksione Rusisë, në linjë me Perëndimin.

Amerikanët e lavdëruan për këtë hap (Zëvendëssekretarja Nuland dhe tre Senatorët amerikanë, Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis) por ai, Vučić-i pra, sërish nisi të flas pallavra tipike serbiane dhe shpesh, vërtet ai s’di çka flet!?

Vučić i tha Senatorit amerikan Murphy – i cili i kërkoi tē vendosë sanksione ndaj Rusisë – “më thirr pas dy muajve”!?

Porse në stilin e tij “sipas vendi edhe kuvendi” ai e mohoi këtë në një ceremoni ushtarake.

A po ndërron kurs Serbia?

Vet Presidenti Vučić duket së është çmistuar që të shndërrohet në një De Gaulle serb, porse për t’i kënaqur masat turbo-nacionaliste, ai di të flasë edhe broçkulla si “tregimi i dhëmbëve” që nuk i ka, në raport me Kosovën.

Deputeti i Partisë Progresive Serbe (SNS), Dragan Shormaz ka deklaruar se Qeveria e re e Serbisë duhet të përbëhet vetëm nga ata që janë për mbylljen e Qendrës ruse të spiunazhit në Nish, ndërsa gazetari serb, Boško Jakšić thotë se Vladimir Putin mund ta njohë Kosovën në shkëmbim të heqjes së sanksioneve nga Perëndimi ndaj Rusisë!?

Pra indikatorë që Serbia po ndërron kurs ka, sepse tutje qëndrimi në dy karrige i është pamundësuar.

Gjatë vizitës në Berlin, te Kancelari Olaf Scholz, ‘Voždi-it” të Beogradit, poashtu ia rrahën krahët dhe duket se nga ai morën garancionin për ruajtje të paqes në Ballkan, por jo edhe për sanksione ndaj Rusisë!

Kështu “Putini i Vogël” siç po e quajnë në Prishtinë, është shndërruar në “njeriun e duhur të Perëndimit për paqe në rajon”, ashtu siç pandehej Slobodan Milošević-i para dhe gjatë Konferencës së Dayton-it.

Pra Vučić është në fokus, ai mund t’i shesë shtrenjtë tek Perëndimi sanksionet ndaj Rusisë, që janë emër tjetër për dalje definitive e Serbisë nga tutela ruse!?

Nëse Serbia ka vërtet vullnet e kurajë për një “Jo” ndaj Kremlinit (siç veproi Josip Broz Tito në shekullin e kaluar, më 1948) atëherë integrimin në BE e ka të garantuar!?

Në anën tjetër, Kryeministri kosovar, Albin Kurti sëpari u duk i zmbrapsur nga koordinimi me aleatët (sidomos për çështjen e gasit amerikan) dhe sëdyti, duke qenë i ngurt e jo kreativ në dialog dhe pa një projekt të ri që i garanton Kosovës të mbesë pala konstruktive, po i lë hapësirë manovruese Vučić-it që të duket “burri i mirë” në sytë e perëndimorëve.

Kërkesa e amerikanëve (e sëfundi edhe Kancelarmatit gjerman) është shumë e qartë: Kosova duhet ta këtë prioritet nr.1 dialogun me Serbinë dhe të zbatojë vendimet e marrura nga Kushtetuesja dhe Kuvendi.

Zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit si dhe rimodelimi i Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe brenda sistemit kosovar, sipas Marrëveshjës Kornizë të vitit 2013 e të ratifikuar në Kuvend, që ka fuqinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, (qoftë edhe me ndryshime kushtetuese!?) janë sfidat me të cilat përballet Kosova në muajt në vazhdim.

Në secilin version, zgjidhja duhet të jetë kushtetuese, sepse çdo “zgjidhje jokushtetuese” është vënie “në pazar” e 17 shkurtit.

Kancelari Scholz, duke qëndruar në kursin e Kancelares Merkel, vuri në pah së shteti gjerman forcërisht e hedh poshtë çfarëdo zgjidhje territoriale (këmbim territoresh apo ripërcaktim kufijsh) ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ashtu sikur vota e dyfishtë që u jep serbëve kosovarë të drejtë vetoje në Kuvendin e Kosovës (Kosova nuk mund të vendos për çështjet që prekin interesat vitale të serbëve kosovarë pa votën e tyre) titullari i shtetit kosovar duhet të ruaj të drejtën e vetos për sa i përket ndryshimit të sistemit, tokës kushtetuese (kufijve) dhe unitetit të shtetit.

Sëkëndejmi, Statuti i Asociacionit duhet të përmbaj një klauzolë e cila e sanksionon këtë mekanizëm (pushtet të deleguar nga Qendra) se nuk mund të ndërmarr asnjë hap me peshë juridike, që cënon integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, sikurse edhe karakterin unitar të shtetit.

Tek atëherë Asociacioni mund të qitet në tavolinën e dialogut dhe këtë, vetëm në këmbim të njohjës dhe jo para, por krahas saj!

Kryeministri Kurti po jep do parashenja se po e braktisë Albin Kurtin ideologjik e partiak dhe po shndërrohet në burrështeti të përgjegjshëm porse, a do të pranojë “kompromisin e dhembshëm” apo do të mësyjë hyrjën në “këngët popullore”, mbetët të shihet.

Një Albin Kurt pragmatik ka të mgjarë të etablohet pas vizitës në Washington!?

Nëse ai vazhdon të sillet me kryeneqësi, gjasat janë që Kosova politike të rikthehet në status quo dhe ai ta mbyllë karrierën e vet politike, sepse amerikanët ia thanë shkurt e shqip se status quo-ja është në favor të Rusisë.