Shteti i Serbisë po vazhdon avazin e vjetër të arrestimit të kosovarëve nëpër pikat kufitare. Me datë 1 korrik autoritet serbe kanë ndaluar në Mutivodë, Osman Selmanin, me pretendimet se ai ka qenë në UÇK dhe se është i përfshirë si i dyshuar në “vrasjen e një çifti serb në Prishtinë”.
Kanë qenë familjarët e Selmanit që kanë treguar fillimisht për ndalimin e tij nga autoritetet serbe, derisa më pas edhe Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e tij dhe kanë konfirmuar se të njejtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga një Gjykatë e lartë në Beograd.
Familjarët kanë mohuar pretendimet e palës serbe, ndërkohë për arrestimin ka reaguar edhe OVL e UÇK-së. Veteranët e kanë cilësuar arrestimin si një veprim politik të Serbisë dhe kanë konfirmuar se Osman Selmani nuk figuron si veteran i UÇK’së.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia ka ndaluar në kufirin e saj një kosovar. Edhe në të kaluarën kanë ndodhur disa arrestime. Kjo ka bërë që disa herë Kosova të bëjë thirrje për të shmangur kalimin nëpër Serbi./Express/