“Si Izraeli, ashtu edhe Irani janë vendet tona mike”.
Kështu i përgjigjen zyrtarët në Beograd konfliktit të ri në Lindjen e Mesme – duke vazhduar politikën e neutralitetit dhe balancimit.
Së paku në mënyrë deklarative.
“Do të thosha se Serbia në këtë konflikt, megjithatë, është ‘neutrale’, por në anën e Izraelit”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti serb i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.
Si arsye, ai përmend mospërputhjen në nivelin e bashkëpunimit që ka Beogradi me Izraelin dhe Iranin.
“Ajo shkon në favor të Izraelit. Politikisht, të pohosh se je plotësisht neutral, mund të tingëllojë korrekte, por, në praktikë, thjesht nuk është e vërtetë”, thotë Jakshiq.
Si bashkëpunon Serbia me Izraelin?
Rreth dhjetë ditë pasi Izraeli sulmoi Iranin më 13 qershor – me arsyetimin se donte ta pengonte atë nga krijimi i bombës bërthamore, dhe Teherani u kundërpërgjigj duke lëshuar raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit – presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërpreu eksportin e municioneve në Izrael.
“Ne nuk po eksportojmë asgjë”, u tha ai gazetarëve më 23 qershor.
Vetëm pak ditë para kësaj, duke folur për mediumin izraelit, Jerusalem Post, ai tha se Serbia është vendi i vetëm në Evropë që bën biznes me Izraelin në fushën e municioneve ushtarake, duke shtuar se dërgesat e armëve janë përshpejtuar që nga tetori i vitit 2023.
Atëkohë, pas një sulmi që kreu Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në vrasje masive të civilëve palestinezë, shkatërrim qytetesh dhe krizë humanitare.
Rritja e eksporteve drejt Izraelit konfirmohet edhe nga të dhënat zyrtare të Dhomës së Tregtisë së Serbisë, të cilat tregojnë se ato pothuajse u dyfishuan – nga 75.9 milionë euro në vitin 2023 në 132.8 milionë euro në vitin 2024.
Vitin e kaluar, Serbia eksportoi në Izrael më së shumti mallra ushtarake, me vlerë 44.5 milionë euro.
“Nga ana tjetër, edhe shërbimet tona blejnë pajisje nga izraelitët”, kujton Jakshiq.
Në fund të vitit 2023, disa organizata ndërkombëtare, përfshirë Amnesty International, paralajmëruan për keqpërdorimin e softuerit izraelit për spiunazh “Pegasus” në Serbi.
Kompania izraelite NSO, e cila e prodhon këtë softuer, ishte subjekt i polemikave të shumta, pas zbulimit se qeveritë dhe agjencitë e tjera anembanë botës, përfshirë Serbinë, e kanë keqpërdorur atë për të spiunuar kritikët qeveritarë.
“Përveç kësaj, Izraeli ka investime të mëdha edhe në infrastrukturën në Serbi”, thotë Jakshiq, duke shtuar se, pavarësisht marrëveshjeve politike, aleatë të Beogradit janë ende izraelitët, jo iranianët.
Për dallim prej Izraelit, me të cilin tregtia e jashtme e Serbisë arriti në 184 milionë euro në vitin 2024, me Iranin është shumë më modeste – 46.4 milionë.
Zyrtarët në Beograd nuk e kanë përmendur deri më tani eksportin e armëve në Iran.
“Ish-Jugosllavia dikur eksportonte armë si në Iran, ashtu edhe në Irak, gjatë luftës Iran-Irak. Por, pas kësaj, nuk ka asnjë informacion se Irani është në listën e shitjeve të armëve ose municioneve serbe”, thotë Jakshiq.
Ai shton se Serbia, prej kohësh, ka qenë e interesuar të blejë naftë nga Irani, por se kjo nuk ka ndodhur ende.
“Nën regjimin e sanksioneve, iranianët kanë gjetur mekanizma për të eksportuar pothuajse 100% të naftës së tyre në Kinë. Është më e lehtë për ta të kenë një treg dhe mekanizma për të shmangur sanksionet… sesa në Serbi, ku sasitë me siguri që do të ishin pakrahasueshëm më të vogla”, thotë Jakshiq.
Edhe pse Teherani është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të zhvillimit të programit bërthamor, në Beograd ai kishte aleatë të nivelit politik.
Serbia, vazhdimisht, ka dështuar t’i zbatojë vendimet e Bashkimit Evropian për masat kufizuese kundër Iranit, qoftë për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore, apo të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Ndër vendimet e fundit ishte ai i dhjetorit të vitit 2023, kur Beogradi nuk e mbështeti një paketë të re masash të BE-së kundër Teheranit, për shkak të ndihmës ushtarake që autoritetet iraniane i ofruan Rusisë në luftën në Ukrainë.
Zyrtarët nga të dyja vendet i kanë intensifikuar takimet viteve të fundit, duke njoftuar për forcimin e bashkëpunimit.
Nga Serbia janë dëgjuar edhe mesazhe mirënjohjeje për refuzimin e Iranit për të njohur pavarësinë e Kosovës.
“Kështu ishin edhe me Izraelin deri në vitin 2020, kur Izraeli e njohu Kosovën përmes Marrëveshjes së Uashingtonit. Kjo ishte një befasi e pakëndshme për autoritetet në Beograd, sepse është një vend i rëndësishëm…”, thotë Jakshiq.
Marrëveshja e Uashingtonit mes Beogradit dhe Prishtinës parashikonte gjithashtu që Serbia të zhvendoste ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por kjo nuk ndodhi.
Ditën kur skadoi afati për zhvendosje, Vuçiq tha se Beogradi do të vepronte “në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe në përputhje me interesat e veta”.
“Interesat kanë ndryshuar që nga momenti kur Izraeli e njohu pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq më 1 korrik të vitit 2021.
Megjithatë, Serbia dhe Izraeli vazhduan t’i zhvillonin marrëdhëniet.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha pas bisedimeve me presidentin e Serbisë në vitin 2024 në Nju Jork, se lidhjet me Beogradin janë “më të forta se kurrë dhe vazhdojnë të thellohen”.
Një ditë para këtij takimi, në margjina të sesioneve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Vuçiq u takua me presidentin e Iranit, Masoud Pezeshkian, të cilin e ftoi të vizitonte Serbinë.
Ndryshe nga konflikti i drejtpërdrejtë mes Izraelit dhe Iranit, për të cilin Beogradi nuk mori qëndrim, Vuçiq tha se “nuk ka asnjë dyshim” se Shtetet e Bashkuara “e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare”, kur më 22 qershor sulmuan objektet bërthamore të Iranit.
Por, theksoi se Serbia dëshiron marrëdhënie të ngushta dhe partneritet strategjik me SHBA-në.
“Mendoj se këtu kemi të bëjmë me një manovër diplomatike – në sipërfaqe duket sikur Vuçiq i dënoi amerikanët dhe me kaq përfundoi gjithçka. Nuk do të ketë ndonjë pasojë, por, megjithatë, është shënuar një pikë diplomatike”, vlerëson Jakshiq.
Sipas tij, Serbia mban të njëjtin qëndrim edhe në lidhje me luftën në Ukrainë.
“Kjo politikë e lëkundjes midis një, dy, tri, katër karrigeve dhe gjithë tryezës zgjat për një kohë të gjatë. Por, marrëdhëniet mes Moskës, Uashingtonit dhe Brukselit tregojnë se Vuçiq nuk ka besim në asnjë nga qendrat kryesore botërore”, thotë Jakshiq.
Serbia së bashku me Bjellorusinë janë vendet e vetme evropiane që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për agresionin e saj kundër Ukrainës.
Por, në të njëjtën kohë, armët dhe municionet serbe përfundojnë në duart e ushtarëve ukrainas nëpërmjet vendeve të treta./REL/