Rivali është i fortë dhe këtë e dimë. Serbia vjen në 7 qershor në Tiranë me synim rezultat pozitiv në ndeshjen eliminatore të Botërorit, ndërsa potenciali është i rëndëishëm.
Në ekip janë 25 futbollistë, ndër të cilët 9 luajnë në pesë ligat kryesore të Europës, si Angli, Spanjë, Itali, Gjermani e Francë.
Nikola Milenkoviç pati një edicion të shkëlqyer në Angli, duke u shpallur edhe lojtari më I mirë I sezonit tek Notingem Foresti.
Forma e mbrojtësit nuk ka nevojë për komente të tjera, shkruan abcnews.
Një mbrojtës tjetër shumë I fortë, me të cilin do të kenë punë sulmuesit shqiptarë do të jetë edhe Strahinja Pavloviç.
Në moshën 23-vjeçare, ai është titullar I padiskutueshëm tek Milani, duke shënuar edhe gola në Serinë A.
Një yll i ri i kombëtares serbe është 19-vjeçari Kosta Nedeljkoviç, që gjithashtu luan në një nga pesë ligat kryesore të Europës.
Mbrojtësi I ri është prej pak muajsh pjesë e Lajpcigut në Bundesligën gjermane.
Nemanja Gudelj ndërkaq cilësohet veteran futbolli, në moshën 33-vjeçare.
Mesfushori ishte edicionin që sapo u mbyll tek Sevilja në La Ligën e Spanjës, ndërsa ka 68 ndeshje për ekipin përfaqësues, duke shënuar një gol.
Lojtari tjetër i mesfushës, Sasha Lukiç, plotëson dyshen serbe në Premier Ligë pasi Fulham i beson formacionin.
Këtë sezon luajti 30 ndeshje në kampionat dhe shërbeu dy asistë (2-0 me Totenhem).
Në Serinë A, shok me Berat Gjimshitin, është Lazar Samarxhiç, që gjithashtu mbërriti në ekip vetëm pak muaj më parë.
Mesfushori ofensiv ishte në fushë 31 herë në kampionatin italian, me dy gola dhe një asist, ndonëse titullar ishte në më pak se 20 për qind të ndeshjeve.
Po në Serinë A janë dy sulmues të njohur të kundërshtarëve tanë.
Luka Joviç është bashkuar me Milanin, pas shkëlqimit dikur tek Frankfurti, dhe periudhës së vështirë tek Reali.
Nuk ka qenë shpesh titullar këtë sezon, ndërsa ka shënuar dy gola në ligë dhe dy në Kupën e Italisë, pikërisht në fitoren 3-0 ndaj Interit në gjysmëfinale.
Së fundmi, Dushan Vlahoviç, që cilësohet sulmuesi më cilësor i Serbisë, ende pjesë e Juventusit.
Gjithsesi, kapiteni i skuadrës nuk luan në një nga pesë ligat e mëdha, madje nuk është fare në Europë.
Aleksandar Mitroviç braktisi Premier Ligën duke zgjedhur kampionen e Arabisë Saudite, Al Hilal, në të cilën këtë sezon ka 19 gola dhe dy asistë në 23 ndeshje të kampionatit.
Në moshën 30-vjeçare është në kulmin e pjekurisë dhe do të jetë një nga kërcënimet më të mëdha për portën kuqezi.
Në Francë, tek Strasburgu luan portieri Gjorgje Petroviç, ndonëse trajneri Stojkoviç ka aktivizuar kryesisht gardianin që luan tek Al Itihadi në Arabinë Saudite, Predrag Rajkoviç, i cili ka kaluar dëmtimin.