Serbia mban paradë ushtarake në mes protestash, analisti amerikan: Një mesazh për fqinjët - Gazeta Express
string(87) "serbia-mban-parade-ushtarake-ne-mes-protestash-analisti-amerikan-nje-mesazh-per-fqinjet"

Lajme

Gazeta Express

20/09/2025 12:46

Serbia mban paradë ushtarake në mes protestash, analisti amerikan: Një mesazh për fqinjët

Lajme

Gazeta Express

20/09/2025 12:46

Serbia sot po mban paradën ushtarake në kryeqytetin serb nën sloganin “Fuqia e Unitetit”.

Mbi 10.000 trupa do të marshojnë në paradë, së bashku me mbi 2.500 armë dhe pajisje ushtarake, sipas autoriteteve serbe, raporton Radio Evropa e Lirë.

Kjo paradë po zhvillohet në një kohë protestash masive antiqeveritare në Serbi, të nxitura nga vdekja e 16 njerëzve në një aksident në Novi Sad dhjetë muaj më parë.

Një pjesë e publikut opozitar është e indinjuar nga organizimi i paradës ushtarake, duke vlerësuar se qeveria synon të “demonstrojë forcë” në një kohë polarizimi të madh në shoqëri.

Policia ka vendosur kordon për të mos i lejuar pjesëmarrësit e tubimit studentor të afrohen në hyrje të paradës ushtarake.

Përveç anëtarëve të policisë së trazirave, ka edhe anëtarë të Xhandarmërisë me pajisje të plota për të shpërndarë demonstratat.

Parada në Beograd është një mesazh për fqinjët, vlerëson analisti amerikan Kurt Bassuener nga Këshilli për Politika të Demokratizimit me seli në Berlin, i cili e sheh këtë paradë si një sinjal të hapur ndaj vendeve fqinje të Serbisë për arsenalit të saj të ri ushtarak.

“Por kjo është gjithashtu – ndoshta edhe para së gjithash – një përpjekje e dukshme për të vendosur kontroll të brendshëm në Serbi, kontroll që gjithnjë e më shumë po i shpëton Vuçiqit nga duart, të paktën në aspektin e opinionit publik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fakti që, siç thotë ai, Vuçiqit “po i ikën kontrolli” në vend, po ndikon edhe në politikën e jashtme të tij, duke e shtyrë drejt një arbitrazhi gjeopolitik.

Policia dhe Xhandarmëria shtypin qytetarët

Studentët dhe qytetarët po shtyhen prapa nga Policia dhe Xhandarmëria dhe po mbahen “në rreth” pranë Pallatit “Serbia”, raporton një gazetar i Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Studentët dhe qytetarët nuk po bëjnë rezistencë ndërsa policia po i shtynë ata.

Ata po i pyesin oficerët e policisë “kë po mbroni”, dhe po brohorisin “po rrihni njerëz”, “po sulmoni njerëz”.

Në kuadër të programit të paradës ushtarake ka filluar parakalimi i njësive të motorizuara.

Në mesin e tyre ishin, ndër të tjera, automjetet e blinduara luftarake “Lazar 3”, “Millosh” dhe “Hummer”, me pjesëtarë të njësive speciale dhe të zbulimit, si dhe motoçikleta katër rrotëshe.