Serbia ia zgjat masën e paraburgimit Nezir Mehmetajt - Gazeta Express

Ballina

Gazeta Express

14/02/2020 16:27

Serbia ia zgjat masën e paraburgimit Nezir Mehmetajt

Ballina

Gazeta Express

14/02/2020 16:27

Dhoma për Krime Lufte në Gjykatën e Lartë të Beogradit ia ka vazhduar edhe për një muaj masën e paraburgimit, mërgimtarit Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua në Merdare derisa po e dërgonte nënën e tij për analiza në Nish të Serbisë, raporton Express.

Mehmetaj, i cili jeton në Zvicër që nga koha e luftës, po akuzohet nga autoritetet serbe për krime lufte.

Siç raportojnë mediat serbe, Mehmetaj do të mbahet në paraburgim deri më 2 mars.

Ai është arrestuar më 4 janar të këtij viti. Për arrestimin e Mehmetajt kanë reaguar edhe institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit kosovar.

Situatën me interesim të madh janë duke e përcjellë edhe nga Bashkimi Evropian. Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i BE’së, Peter Stano.

Stano ka thënë se janë duke ndjekur nga afër rastin.

“Ne jemi duke monitoruar per së afërmi procesin gjyqësor”, ka thënë ai.

Tutje Stano ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovës dhe Serbi duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen.

“Autoritetet gjyqësore në Serbi dhe Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të pretenduara penale”, ka vazhduar tutje Stano.

Siç ka potencuar Stano, në bazë të parimeve të Dialogut për të cilat janë marrë vesh Kosova dhe Serbia, Nezir Mehmetaj, duhet të ndiqet nga gjykatat në Kosovë.

“Në linjë me parimet e dialogut, ndjekja e rasteve duhet të bëhet apriori përpara gjykatave në vendin e banimit, në Kosovë ose Serbi”, ka përfunduar Stano.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme që të marrë informacione se çfarë masash do të ndërmerren për lirimin e Nezirit, por në këtë institucion nuk kanë dhënë shumë detaje.

Ndryshe, pas këtij incidenti, MPJ’ja ka kërkuar që të shmanget sa më shumë qarkullimi përmes këtij vendi, meqenëse siç thonë Serbia nuk është territor që ofron siguri.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor, i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në komunikatë./Gazeta Express