Serbia i kërkon përsëri OFAC-ut të SHBA-së të mos vendosë sanksione ndaj NIS-it rus - Gazeta Express
string(83) "serbia-i-kerkon-perseri-ofac-ut-te-shba-se-te-mos-vendose-sanksione-ndaj-nis-it-rus"

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 13:07

Serbia i kërkon përsëri OFAC-ut të SHBA-së të mos vendosë sanksione ndaj NIS-it rus

Lajme

Gazeta Express

24/07/2025 13:07

Qeveria e Serbisë i ka dërguar Kancelarisë për Kontrollin e Pronave të Huaja (OFAC) pranë Ministrisë së Financave të Shteteve të Bashkuara një kërkesë të re për vazhdimin e licencës për punë për Naftën Industriale të Serbisë (NIS) për një periudhë shtesë prej 180 ditësh, njoftoi Ministria e Minierave dhe Energjisë.

Licenca aktuale e OFAC për NIS skadon më 29 korrik.

Ministrja përgjegjëse, Dubravka Djedoviq Handanoviq, deklaroi se Serbia nuk e meriton sanksionimin e NIS dhe se kanë përsëritur para administratës amerikane faktet, duke përfshirë masat që po merren për të siguruar që NIS të përmbushë kushtet e vendosura në lidhje me pronësinë e Gazprom Neft.

Ajo shtoi se sanksionet ndaj kësaj kompanie ruse do të cenonin rëndë funksionimin e ekonomisë serbe dhe sigurinë energjetike të Serbisë dhe rajonit.

“Vazhdimi i licencës do të ndihmonte në sigurimin e furnizimit me naftë bruto për rafinerinë e Pançeva në mënyrë komercialisht të qëndrueshme,” theksoi ministrja.

U njoftua se Serbia po bashkëpunon me partnerët amerikanë dhe rusë për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për NIS, që do të mundësonte furnizim të sigurt me naftë bruto.

SHBA-ja vendosi më 10 janar sanksione ndaj NIS për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft, në përpjekje për të ndaluar Rusinë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.

Gazprom dhe kompania e saj Gazprom Neft zotërojnë 56.15% të aksioneve të NIS. Pjesa tjetër është në pronësi të shtetit serb.

Çmimi i një tonë nafte “Brent” në bursat botërore është aktualisht rreth 97.5 dollarë. Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe krizës energjetike në Evropë, Serbia ka vendosur kufizime në çmimet e benzinës dhe naftës eurodizel.

Në vitin 2008, Serbia shiti 51% të NIS-it kompanisë Gazprom Neft për 400 milionë euro. Në maj të vitit 2022, Gazprom Neft shiti 6% të aksioneve në kompaninë e saj mëmë, Gazprom, e cila nuk është subjekt i sanksioneve të Bashkimit Evropian.

NIS është kompania e vetme në Serbi që kryen kërkime, prodhim dhe përpunim të naftës në rafinerinë e Pançeva, e cila gjithashtu është në pronësi të Gazprom Neft, si dhe prodhimin e gazit natyror.

NIS ka më shumë se 400 pika karburanti në Serbi, Bosnje e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari. /REL