string(58) "serbia-i-frikesohet-romanit-qe-dokumenton-krimet-ne-kosove"

Serbia i frikësohet romanit që dokumenton krimet në Kosovë

Arte

Gazeta Express

07/02/2024 8:29

Është vepër që tashmë flet në disa gjuhë, dhe si roman dokumentar rrëfen tmerrin e dy nënave që kanë humbur fëmijët e tyre në luftën e fundit në Kosovë. Krimet e shtetit serb aty shpërfaqen nëpërmjet dy familjeve nga Komuna e Gjakovës. Por që romani i Ag Apollonit “Një fije shprese, një fije shkrepëse” t’i flasë në serbisht popullit serb për atë që ka ngjarë, del të jetë problem. Botuesit serbë hezitojnë ta botojnë, ani pse tashmë është përkthyer në serbisht nga Shkëlzen Maliqi.

Deri më tash vepra është botuar në anglisht, gjermanisht, holandisht dhe është në proces e sipër për t’u botuar në frëngjisht.

Lexo Edhe:

Shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se janë angazhuar disa miq dhe kolegë të tij të cilët u kanë shkruar disa botuesve serbë, mirëpo ose janë injoruar, ose kanë marrë përgjigje ironike.

Shkrimtari që është edhe profesor universitar i letërsisë ka thënë se e ka ditur që Serbia ka probleme serioze me demokracinë, por nuk e ka ditur që serbët ende jetojnë nën diktaturë.

“Libri im nuk atakon, vetëm dëshmon, dhe këto dëshmi janë shumë të nevojshme të lexohen nga serbët e pamanipuluar; ata duhet të dinë se çfarë kanë bërë bashkëkombësit e tyre të manipuluar nga sistemi politik i Milosheviqit, bir ideologjik i të cilit është Vuçiqi”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, sikur veprat e autorëve hebrenj të mos liheshin të publikoheshin në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore do të ishte më shumë se skandal. Mirëpo, sipas tij, “gjermanët pështynë mbi liderin racist të tyre, mbi ideologjinë e tij, dhe sot janë shtet dhe popull i respektuar”.

“Serbët (intelektualët, shkrimtarët, shkencëtarët, studentët, aktivistët etj.) duhet të aktivizohen kundër presidentit të tyre manipulator, që mban gjallë idetë e një monstrumi të vdekur. Fitorja e zgjedhjeve para pak javësh nga partia e këtij manipulatori, na lë para dilemës: a vërtet shumica serbe mendon si presidenti i përçudshëm serb, apo kemi të bëjmë me manipulim zgjedhjesh e vjedhje votash?”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, në të dy rastet serbët normalë duhet të revoltohen. Ka thënë se Vuçiq po e mban në terr popullin e tij.

“Ai po i frikëson intelektualët. Për botimin e romanit tim në Serbi janë angazhuar edhe disa intelektualë në Beograd, por pa sukses”, ka thënë ai.

Ata që e kanë lexuar serbisht, sipas Apollonit, e kanë vlerësuar përkthimin si të shkëlqyeshëm.

“Edhe në serbisht romani tingëllon mirë, sepse i bie kambanës së të vërtetës. Kambana bie për ata që kanë veshë. Shpresoj që serbët nuk janë shurdha”, ka thënë ai.

Vepra e Apollonit, vitin e kaluar, me rastin e 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, është promovuar në Hagë. /Koha