Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit i është drejtuar me një kërkesë urgjente Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, pas vendosjes së një murali me figurën e kriminelit të luftës Ratko Mladiq në ndërtesën e komunës në Banjallukë.
Në një deklaratë për mediat, shoqata ka theksuar se ky akt përbën një hap tjetër në drejtim të mohimit të krimeve të luftës dhe glorifikimit të atyre që janë dënuar për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. “Në lagjen Mejdan, pranë kuzhinës popullore ‘Mozaiku i Miqësisë’, e cila ndodhet në ndërtesën komunale të qytetit të Banjallukës, është vendosur mural me portretin e kriminelit të dënuar Ratko Mladiq”, thuhet në reagim, raporton Vijesti
Shoqata i ka kujtuar Schmidtit se Prokurori i Përgjithshëm i Mekanizmit Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, Serge Brammertz, ka raportuar vazhdimisht për politikën e rrezikshme të Serbisë, ku janë vendosur mbi 150 murale me figura të kriminelëve të luftës vetëm në qendër të Beogradit, ndërsa në të gjithë territorin e Serbisë numri i tyre tejkalon 300.
“Fatkeqësisht, e njëjta tendencë është gjithnjë e më e pranishme edhe në entitetin serb në Bosnje – që nga Foça, Nevesinja, Trebinja, Bratunci, Kalinoviku, Banjalluka dhe të tjera. Serbia, e cila prej dekadash fsheh dhe mbron kriminelët e luftës nga ndjekja penale, duket se është gati t’i transferojë ata në entitetin serb dhe t’i vërë nën mbrojtjen e Milorad Dodikut. Nga deklaratat publike dhe mesazhet që vijnë, glorifikimi i kriminelëve të luftës është bërë instrument i politikës aktuale në entitetin serb, me qëllim mbajtjen gjallë të ideologjisë që solli gjenocid në vitet ‘90”, paralajmëron shoqata.
Sipas tyre, vendosja e muralit mbrëmjen e djeshme në një ndërtesë zyrtare të komunës është vetëm një nga hapat e shumtë që dëshmojnë për rritjen e praktikave alarmante të qeverisë së entitetit serb, të cilat mund të sinjalizojnë përpjekje për rikthimin e skenarëve të dhunshëm të së kaluarës.
Shoqata e Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit kërkon nga Përfaqësuesi i Lartë të ndërmarrë masa të menjëhershme, duke përdorur kompetencat e tij për të ndaluar përhapjen e retorikës revizioniste dhe mbështetjes së krimeve të luftës.
“Ofrimi i mbrojtjes apo heshtja përballë glorifikimit të kriminelëve të luftës është kërcënim serioz për paqen, sigurinë dhe rendin kushtetues në Bosnje dhe Hercegovinë. Çdo hezitim nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht nga Përfaqësuesi i Lartë, mund të hapë rrugë për destabilizime të reja në rajon”, përfundon reagimi.