Gonzalo Garcia është ylli më i ri i Real Madridit.
Talenti spanjoll po shkëlqen me “Los Blancos” në Botërorin e Klubeve, ndërsa mbrëmë ishte hero i gjigantit spanjoll pasi e shënoi golin e fitores ndaj Juventusit në të tetën e finales.
Ky në fakt ishte goli i tretë i tij në këtë turne veror, ndërsa trajneri Xabi Alonso e ka besimin e plotë në lojtarin e dalë nga akademia e klubit.
Garcia po e shfrytëzon për mrekulli mungesën e Kylian Mbappes, i cili ishte i sëmurë në ndeshjet e para, shkruan “Gazeta Express”.
E spanjollin e ri kanë nisur ta krahasojnë me legjendën e klubit nga “Santiago Bernabeu”, Raul Gonzalez.
Ai foli për momentin magjik nëpër të cilin po kalon, ndërsa fillimisht foli për duelin me “Bianconeri”, pas së cilit Reali u kualifikua në çerekfinale të Kupës së Botës për Klube.
“E dinim që do të ishte një ndeshje intensive që nga fillimi. E nisëm pak ngadalë, por më pas u rritëm duke e ruajtur ritmin, duke e lodhur kundërshtarin dhe duke mbërritur shpesh në zonë. Unë gjithmonë përpiqem të jem i pranishëm në zonë. Kjo është puna dhe qëllimi im”, tha Garcia teksa e komentoi golin me kokë.
“Krahasimi me Raulin është i madh. Ai më mësoi shumë gjatë dy viteve që kaluam së bashku në Castilla dhe jam shumë mirënjohës për gjithçka që më transmetoi.”
Në sezonin 2025/26 trajneri Xabi Alonso do ta ketë një armë shtesë në sulm me Gonzalo Garcian, normalisht nëse Reali nuk vendos ta huazojë atë në ndonjë skuadër më e vogël për të pasur më shumë minutazh dhe për t’u pjekur si lojtar. /Gazeta Express