Senati i parlamentit italian miratoi këtë të mërkurë marrëveshjen me Shqipërinë në fushën e sigurimeve shoqërore.
Siç bëri me dije ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i pranishëm gjatë seancës plenare, marrëveshja për pensionet u miratua me të gjitha votat pro të senatorëve.
“Me të gjitha votat “PRO” Senati i Parlamentit Italian ratifikoi finalizimin e marrëveshjes midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Italiane në fushën e Sigurimeve Shoqërore/Pensionet. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë bashkatdhetarët tanë në Itali, por edhe familjarët e tyre kudondodhur, sepse me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes të gjithë ata (450.000-500.000 shqiptare) që kanë shumë vite që jetojnë, sakrifikojnë, punojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e ekonomik të Italisë, (nga ’90 e këtej) por edhe të atyre shtetasve italianë që kanë kontribuar e punojnë në Shqipëri, do të kenë më në fund mundësi të gëzojnë dhe përfitojnë sigurimet shoqërore/pensionet”, tha Balla.
Marrëveshja në fjalë hyn në fuqi pasi të firmoset nga Presidenti italian, Sergio Mattarella.