Sëmundjet infektive dhe njerëzimi, koekzistencë ndër shekuj - Gazeta Express
string(58) "semundjet-infektive-dhe-njerezimi-koekzistence-nder-shekuj"

Gazeta Express

17/03/2020 16:39

Sëmundjet infektive dhe njerëzimi, koekzistencë ndër shekuj

Gazeta Express

17/03/2020 16:39

Asnjë nga grup sëmundjet e njohura nuk ka pasur ndikim më të madh në historinë e zhvillimit të njerëzimit siç kanë pasur sëmundjet infektive. Sëmundjet infektive kanë përcaktuar fatin e individëve e qytetërimeve, duke ndikuar kështu në historinë e zhvillimit të njerëzimit që nga gjeneza e tij e deri në ditët e sotme, e me gjasë këtë do ta bëjnë edhe në të ardhmen.

Prof. Asoc. Dr. Ilir Q. Tolaj

Lexo Edhe:

Imagjinoni, për një moment, se çfarë mund të ndodhte me botën e asaj kohe sikur Aleksandri i Madh të mos vdiste në moshë aq të re, 32 vjeç, në vitin 323 p.e., në kulmin e madhështisë së tij, nga një sëmundje infektive, e cila, e përshkruar nga kronistët ishte përcjellë me ”agjitacion, tremor, shtangim të qafës dhe dhembje të mprehtë në abdomen; kolabim, agoni akute dhe torturuese sa herë që prekej; etje intensive, temperaturë të lartë dhe delirium, ndërsa gjatë natës edhe me konvulsione e halucinacione, të përcjella me periudha të qetësisë; për dhjetë ditë rresht”. Vlerat e kohës së sundimit të tij si multikulturalizmi, sinkretizmi religjioz e politik, eklektizmi, tregëtia pa kufizime në një hapësirë të pamenduar deri atëherë, këmbimi i njohurive të kohës mes popujve të ndryshëm, në fakt janë fillet e një globalizmi për të cilin u deshën 20 shekuj të tjerë të historisë së njerëzimit për tu bërë vlerë e realitet i njerëzimit të ditëve të sotme.

Epidemia e parë e variolës është regjistruar me 1350 p.e. gjatë luftës mes egjiptianëve e hititëve, dy perandorive më të mëdha të asaj kohe. Me siguri që epidemi të caktuara të sëmundjeve infektive ka pasë edhe para se ato të shënoheshin nga kronikët e kohës. Shenjat e variolës janë identifikuar në fytyrat e shumë nga mumieve të dinastive të Egjiptit. Variola ishte e përhapur gjatë ekspanzionit arab, kryqëzatave, zbulimit të Indisë përendimore dhe zbulimit të Amerikës.

Në fillim të shekullit 16-të dhe gjatë shekullit të 17-të, europianët në Botën e Re sollën me vete variolën dhe sëmundjet tjera infektive, ndaj të cilave popullata vëndase ishte plotësisht e pambrojtur. Sëmundjet infektive të sjella nga spanjollët pushtues, më shumë se sa lufta, shkatërruan civilizimin e aztekëve në Amerikën Jugore. Variola e sëmundjet tjera si mortaja bubonike, kolera, influenza, difteria, malaria, morbilli, skarlatina, sëmundjet seksualisht të transmetueshme, tifo abdominale, tifusi, tuberkulozi e pertusis, të bartura nga kolonistët nga Europa në shekullin 17-të shkatërruan mbi 90% të popullatës native amerikane në Amerikën e Veriut, duke ia hapur kështu rrugën kolonozimit të kontinenteve amerikane dhe duke e rishkruar historinë e re të njerëzimit.

Pasojat e epidemisë së variolës i ka ndier edhe Kosova me regjionin në epideminë e vitit 1972, nga e cila janë sëmurë 175 persona dhe kanë vdekur 40 prej tyre. Reagimi i shpejtë i të gjitha organeve të shtetit duke vënë masat e rrepta të karantenit dhe bashkëpunimi me OBSH, duke aplikuar imunizimin e përgjithshëm pa përjashtim, është shëmbulli më i mirë se si masat adekuate mund ta ndalojnë edhe një epidemi vdekjeprurëse e shumë kontagjioze si variola vera.

Në anën tjetër, epidemia e mortajës bubonike ka ndikuar në shkatërrimin e perandorisë romake në shekullin 6-të, ndërsa në fillim të shekullit 12- të, epidemia e “vdekjes së zezë”, siç quhej atë kohë mortaja, ka vrarë rreth 90% të banorëve të Europës së asaj kohe. Epidemia e kësaj sëmundje u kthye sërish në këto hapësira në shekullin e 14-të, me pasoja shkatërrimtare për popullatën.

Sëmundje të shumta infektive, si sëmundjet diarreale, tuberkulozi e malaria, vazhdojnë të shkaktojnë numër të madh të viktimave mes njerëzve në mbarë botën, veçanërisht atyre në vendet e pazhvilluara dhe atyre të moshës së re edhe në kohën e sotme.

Përkundër zhvillimit të madh teknologjik e medicinal të kohëve të sotme, në po ballafaqohemi ende me epidemi të sëmundjeve të reja e të vjetra infektive. Në vitin 1984 bota u ballafaqua me epideminë e HIV/AIDS, epidemi që po vazhdon edhe më tej, në vitin 2003 me epideminë e SARS, me 2009 me pandeminë e H1N1 influnzës, në vitin 2010 me epideminë e kolerës në Haiti, me 2014 me epideminë e ebolës, më 2016 me ate të zika virus infeksionit, e tash së fundi me pandeminë Covid 19. Kjo tregon se koekzistenca mes njerëzve dhe shkaktarëve të ndryshëm të sëmundjeve infektive është fati jonë i përbashkët, me sulme të herëpashershme të këtyre të fundit ndaj nesh, sa herë që krijohen kushtet e volitshme, që jo rrallë i shkaktojmë me veprimet tona të pamatura ndaj botës që na rrethon. Ndoshta nuk është e tepërt të konstatojmë se derisa do të ketë njerëz do të ketë edhe sëmundje infektive nga të cilat, herë më shumë e herëm më pak, herë individualisht e herë si kolektivitet, do të sëmuremi.

Për këtë, njohja e duhur e sëmundjeve infektive, e raportit mes njeriut, shkaktarit dhe ambientiti, është jetike jo vetëm për ti parandaluar e mjekuar këto sëmundje, por edhe për ta kuptuar mjekësinë dhe jetën në përgjithësi. Nuk ka sëmundje të njohur sot, nga cilado lëmi e mjekësisë, ku roli i shkaktarëve infektiv nuk ka futur duartë qoftë në etiologjinë, patogjenezën, ecurinë ose edhe pasojat nga të njejtat.