Selimi: Partnerët ndërkombëtarë po përdorin BDI-në si kurban për të fshehur dështimin e shtetit - Gazeta Express
string(94) "selimi-partneret-nderkombetare-po-perdorin-bdi-ne-si-kurban-per-te-fshehur-deshtimin-e-shtetit"

Maqedoni

Gazeta Express

17/06/2025 10:37

Selimi: Partnerët ndërkombëtarë po përdorin BDI-në si kurban për të fshehur dështimin e shtetit

Maqedoni

Gazeta Express

17/06/2025 10:37

Analisti politik Sefer Selimi, në një analizë të fundit të publikuar në gjuhën angleze me titullin “Scapegoating DUI: How our partners are burying a failing state to save face”, ka dhënë një pasqyrë të thellë mbi rolin dhe perceptimin aktual të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, si dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar ndaj krizës së brendshme politike dhe institucionale, transmeton Flaka

Sipas Selimit, BDI është shndërruar në “kurbani politik më i lehtë” për të gjithë: “Në Maqedoninë e Veriut të sotme, BDI është bërë kurbani politik i preferuar: fajësohet për korrupsionin, dështimin institucional dhe regresin demokratik.”

Ai kritikon jo vetëm opozitën e brendshme që, sipas tij, kërkon të zhvendosë vëmendjen nga dështimet e veta, por edhe faktorin ndërkombëtar, i cili gjithnjë e më shumë e përqafon këtë narrativë: “Kjo nuk është vetëm një narrativë e shtyrë nga kundërshtarët vendas që përpiqen të largojnë vëmendjen nga dështimet e tyre. Gjithnjë e më shumë, është një linjë që përqafohet dhe amplifikohet në heshtje edhe nga partnerët ndërkombëtarë.”

Në analizën e tij, Selimi thekson se rrënjët e korrupsionit dhe kapjes së shtetit nuk janë të lidhura vetëm me BDI-në: “Le të jemi të sinqertë: rrënjët e korrupsionit janë shumë më të thella se BDI-ja. Arkitektët e disfunksionalitetit janë të njohur: VMRO-DPMNE dhe LSDM.”

Por pavarësisht kësaj, thotë Selimi, BDI tani portretizohet si pengesa kryesore për reformat, sepse është një mjet i përshtatshëm për të ruajtur imazhin e rremë të stabilitetit:

“Për partnerët tanë, fajësimi i BDI-së është një rrugë e lehtë. Ofrojnë një ‘të keqe’ të vetme, që i liron të tjerët nga përgjegjësia. Dhe më e rëndësishmja: e mbajnë vendin ‘të qetë’. Për shumë misione ndërkombëtare, ajo që ka rëndësi nuk është demokracia, por stabiliteti – sa të kalojë mandati dhe të shkruhet raporti.”

Selimi paralajmëron se kjo qasje është më shumë se e përtacë – është e rrezikshme, pasi në heshtje po groposet kontrata shoqërore e ndërtuar mbi Marrëveshjen e Ohrit:

“Po varroset jo vetëm korrupsioni, por edhe kontrata shoqërore që mori dekada për t’u ndërtuar. Marrëveshja e Ohrit nuk ishte formalitet, ishte një angazhim politik i mbështetur nga vetë bashkësia ndërkombëtare, që sot mbyll sytë.”

Në fund, Selimi paralajmëron për pasojat që mund të vijnë nëse vazhdohet me këtë politikë të mohimit dhe shfajësimit kolektiv:

“Fajësimi i BDI-së nuk është rruga drejt reformës, por një strategji shmangieje. Kur toka të çahet nën këmbët tona, nuk do të jetë vetëm faji ynë – do të jetë edhe i tyre.”

Në një klimë politike të mbingarkuar me akuza dhe dështime, kjo analizë e Selimit është një thirrje për reflektim dhe për ndërgjegjësim, jo vetëm për aktorët vendorë, por edhe për ata ndërkombëtarë që kanë marrë pjesë në ndërtimin e sistemit të tanishëm.