Selimi: Grubi bëri mirë që u kthye, por drejtësia në vend ka qenë selektive - Gazeta Express
string(73) "selimi-grubi-beri-mire-qe-u-kthye-por-drejtesia-ne-vend-ka-qene-selektive"

Maqedoni

Gazeta Express

23/02/2026 9:57

Selimi: Grubi bëri mirë që u kthye, por drejtësia në vend ka qenë selektive

Maqedoni

Gazeta Express

23/02/2026 9:57

Analisti politik Sefer Selimi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit rreth rastit të Artan Grubi, duke theksuar se kthimi i tij për t’u përballur me drejtësinë është hap i duhur, por duke ngritur pikëpyetje serioze për standardet e barabarta në sistemin e drejtësisë.

“Artan Grubi bëri mirë që u kthye për t’u përballur me drejtësinë dhe dua të besoj që procesi do të jetë i drejtë dhe i pandikuar. Ai duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta nëse është fajtor”, deklaron Selimi.

Megjithatë, ai rikujton një sërë rastesh të figurave politike dhe publike, për të cilat, sipas tij, drejtësia nuk ka vepruar me të njëjtin intensitet.

“Tash: Nikolla Gruevski i bën tetë vite azil politik dhe lëndët njëra pas tjetrës i vjetërohen. Qeveria nuk ka bërë, dhe siç duket nuk e ka ndërmend të bëjë kërkesë për ekstradim nga Hungaria, partneri strategjik i po kësaj qeverie”, thekson ai.

Selimi përmend edhe emra të tjerë:

“Sasho Mijalkov vazhdon punën si biznesmen i suksesshëm. Orce Kamcev po ashtu, madje vazhdon ta financojë partinë më të madhe në pushtet. Koço Angjushev shkruan libra për suksesin, donon për universitete dhe fotografohet me presidenten, ndërkaq bizneset i vazhdon”.

Ai shton se “thuajse të gjithë të dënuarit e 27 prillit, me pretekste të ndryshme janë në liri”, ndërsa për ish-drejtorin e ESM-së, Vasko Kovaçevski, thotë se “nuk ka as nam e as nishan”.

Në reagimin e tij, Selimi përmend edhe akuzat politike që qarkullojnë prej vitesh.

“Vëllezërit Zoran Zaev gjatë gjithë kohës akuzohen nga VMRO-DPMNE, ndërkaq atyre as ‘therra në këmbë’ nuk u hyn. Opozitarja LSDM çdo ditë denoncon tenderime milionëshe dhe akuzon për korrupsion galopant që lidhen me firma të afërta me funksionarë të lartë qeveritarë në pushtet qendror dhe lokal, ndërkaq nuk raportohet se ka filluar ndonjë proces serioz hetimi për të njëjtat”.

“Lista është e gjatë, aq sa është drejtësia selektive dhe e ndikuar nga qendra të ndryshme politike. Uroj që ky proces të mos jetë i atillë, por i drejtë dhe i pandikuar”, përfundon Selimi.

Advertisement
Advertisement
Advertisement