Ka qenë një sezon shumë i vështirë për Marc-André ter Stegenin, i cili ka bërë vetëm tri paraqitje për Barcelonën dhe Gironën.
33-vjeçari humbi pothuajse gjithë gjysmën e parë të sezonit duke u rikuperuar nga operacioni në shpinë, ndërsa pas transferimit në stadiumin “Montilivi” luajti dy herë përpara se të pësonte një këputje të muskulit të kofshës.
Ka shumë pak gjasa që Ter Stegeni të rikthehet në fushë para prillit, çka do të thotë se do të ketë vetëm pak javë për të rifituar formën përpara Kupës së Botës këtë verë.
Ai shpreson të jetë titullar i kombëtares së Gjermanisë në një turne madhor për herë të parë, por problemet me lëndimet i kanë dëmtuar seriozisht këto ambicie.
Komentet e fundit të selektorit të Gjermanisë, Julian Nagelsmann, duket se e konfirmojnë këtë situatë.
Sipas “Sempre Barca”, ai pranoi se gjendja aktuale e portierit e bën të vështirë grumbullimin e tij për Botërorin.
“Ka tre gjëra për t’u marrë parasysh për pozicionin e portierit. Është një dëmtim tragjik (për Ter Stegenin), për të cilin më vjen shumë keq. Nuk do ta përjashtoj kurrë plotësisht sepse është radha e tij. Duhet të marrim vendimin e duhur për të dhe për ne. Për momentin, situata nuk është e favorshme”, tha ai.
Duke qenë 33 vjeç, Ter StegenI nuk ka shumë vite të mbetura në futboll, sidomos duke pasur parasysh dëmtimet e fundit.
Botërori i kësaj vere do të ishte momenti ideal që ai të ishte titullar i Gjermanisë në një turne madhor, por tani duket se kjo mundësi mund t’i shpëtojë.
Gjermania ka disa portierë të rinj premtues që po ngjiten shpejt, si Jonas Urbig i Bayern Munichut dhe Noah Atubolu i Freiburgut.
Të dy do të synojnë ta zëvendësojnë Ter StegenIN në vitet e ardhshme, veçanërisht para Kupës së Botës 2030 që do të mbahet në Spanjë, Portugali dhe Maroko./GazetaExpress/