Sela ringjallë dyshimet se Serbia po synon ndaljen e Korridorit 8 për në Shqipëri - Gazeta Express
string(81) "sela-ringjalle-dyshimet-se-serbia-po-synon-ndaljen-e-korridorit-8-per-ne-shqiperi"

Maqedoni

Gazeta Express

31/03/2026 14:40

Sela ringjallë dyshimet se Serbia po synon ndaljen e Korridorit 8 për në Shqipëri

Maqedoni

Gazeta Express

31/03/2026 14:40

Ziadin Sela sot tha se Serbia është e përfshirë në plane për të bllokuar vazhdimin e korridorit 8 nga Maqedonia e Veriut për në Shqipëri, duke përdorë një shkrim të mediave bullgare për një deklaratë të ish-ministrit serb të transportit, ndërtimit dhe infrasturës të tetorit 2024 Goran Vesic.

Në një tekst në Faccebook, Sela rikthen një shkrim të shkurtër të agjencisë bullgare të lajmeve BGNES me një titull bombastik : “Beogradi: E kemi eliminuar Korridorin 8, ne po ndërtojmë linjën Beograd-Shkup-Athinë” të datës 12 Tetor 2024, me një version të shkurtër të citatit të tash ish-ministrit Serb.

Shkrimi i BGNES, në fakt ka të bëjë me intervistën e Goran Vesiçit të të njëjtës datë për median e Serbisë Kurir TV, kur në publik që nga vera e vitit 2024, patën shpërthyer përplasjet midis qeverisë së Bullgarisë dhe qeverisë së Hristijan Mickoskit për korridorin 8.

Asaj kohe Mickoski dhe ministrat e tij maqedonas synonin të ndalnin projektin dhe t’i përdorinin paratë e BE-së dhe kreditë e Bankës Evropiane për Investime (EIB) për korridorin 10, për në Greqi.

Deklarata e plotë e ish-ministrit Vesic për Kurit TV është kjo:

“Dikush nga BE e ka forcuar korridorin nga rumania drejt Greqisë e Turqisë si edhe korridorin prej Shqipërisë deri në Bullgari. Me vendimin e Aleksandër Vuçiçit që Serbia të fillojë që të investojë në hekurudhën e shpejtë në Korridorin 10, ne e kemi ndalur që të realizohet ky skenar i errët për Serbinë. Prandaj është e rëndësishme që përcaktohemi që të jemi vendi qendror përmes të cilit kalojnë hekurudhat”, citohet nga faqja e lameve serbe B82, ish ministri serb Vesic me 12 Tetor të ketë thënë në Kurir TV.

Këtë deklaratë të transmetuar në version pakëz me të shkurtër nga BGNES, Ziadin Sela e përdorë tash 2 vite më vonë edhe për rastin e freskët të korridorit 8 prej afër Liqenit të Ohrit deri në kufirin me Shqipërinë.

Sela konsideron se me këtë deklaratë të para 2 vitesh të Goran Vesiçit, Serbia e paska bindur qeverinë e Mickoskit që tash përmes pjesës me Shqipërinë ta ndërpres krejtësisht e ta devijojë të njëjtin korridor tek korridori 10D për të vazhduar tek kufiri grek.

“Kjo është e vërteta e devijimit të Korridorit 8, vendimit për të bllokuar aksin Trebenishtë-Strugë me çka Struga përjashtohet nga Korridori 8 dhe mbetet e izoluar totalisht,” tha Sela sot në reagimin e tij në Facebook.

“Në këtë skenarë, siç njoftuam që nga 10 mars, kemi informacione të sigurta se pas Strugës, do të izolohet edhe rajoni i Pollogut dhe Kërçovës dhe prioritet do t’i jepet ndërtimit të një autostrade Manastir-Ohër me çka Korridori 8 devijohet dhe lidhet me Korridorin 10, ndërsa Sërbia bëhet përfundimisht epiqendër dhe bllokon lidhjen e vendit tonë me Perëndimin,” vadhdoi Sela në tekstin e tij.

Deklaratat e Selës vijnë edhe pas mohimeve të vazhdueshme që po bëhen nga pjestarë të qeverisë së vendit, të cilët thonë se është fjala vetëm për një segment për të cilin po kërkohet një version tjetër për të vazhduar përsëri deri tek kufiri me Shqipërinë.

Deklarata e 12 Tetorit 2024 e ish-ministrit Serb bëhej pesë ditë para marrëveshjes midis qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe qeverisë së Bullgarisë.

Përkundër deklaratës së Vesiçit, Shkupi dhe Sofia u pajtuan që të vazhdohet korridori 8.

Me 17 Tetor 2024, me ndërmjetësimin e Komisionit Evropian në një takim në Brukseli u arrit marrëveshtja midis të dy qeverive për të vazhduar projektin hekurudhorë Bullgari-Maqedoni e Veriut-Shqipëri.

Advertisement
Advertisement
Advertisement