Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në Shqipëri ka vijuar hetimet për një çështje të nisur në vitin 2023, që lidhet me trafik ndërkombëtar të drogës, pastrim parash dhe veprimtari kriminale në formën e grupit të strukturuar.
Në qendër të këtij hetimi janë tre shtetas: Ervis Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj. SPAK ka kryer një sërë verifikimesh për pasuritë e tyre, me qëllim të identifikimit të origjinës së mjeteve të përfituara dhe nëse ato janë rezultat i veprimtarive të paligjshme.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, është vendosur masa e sigurisë pasurore “sekuestro preventive” për disa pasuri që dyshohen të jenë produkte të aktivitetit kriminal:
Pasuri të sekuestruara në emër të Ervis Ferizaj përfshijnë:
Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, bashkë me të gjitha asetet e saj;
Një njësi tregtare në Tiranë me sipërfaqe 161.67 m², me vlerë të deklaruar prej 200,000 euro;
Një vilë dykatëshe në zonën e Lalëzit, Durrës, me sipërfaqe ndërtimi 140 m² dhe truall 162.85 m², me vlerë 80,000 euro;
Shuma prej 77,160 frangash zvicerane në para të gatshme.
Në emër të Përparim Kalbaj u sekuestrua:
Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k dhe të gjitha pasuritë e saj të luajtshme dhe të paluajtshme.
Gjatë kontrolleve në ambientet e kompanive dhe banesave të të hetuarve, janë sekuestruar gjithashtu rreth 68 milion lekë cash, që dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (Prokuroria e Posaçme) ka vijuar hetimet në lidhje me procedimin penal nr.49/3 viti 2023, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafiku i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 28/4, 283/1, 283/a, 287, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasve E.F, B.F dhe P.K.
Gjatë hetimeve paraprake janë kryer veprime të mëtejshme hetimore me qëllim verifikimin e pasurive në zotërim të personave nën hetim, verifikimin e burimit të ligjshëm të tyre, si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e pasurive që mundet të përbëjnë produkte të veprimtarisë kriminale.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.442 datë 14.07.2024 ka vendosur:
Caktimin masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme në zotërim direkt dhe indirekt të shtetasit E.F, të mëposhtme:
1.1. Shoqëria tregtare “Ferizaj-78” sh.p.k, me Nipt M11512017P, me seli në rrugën “Muhamet Gjollesha”, Tiranë, si dhe gjitha asetet e kësaj shoqërie tregtare.
1.2. Pasuria e paluajtshme, nr.3/8-N6, zona kadastrale 8210, volumi 38, faqe 37, e llojit “Njësi”, me sipërfaqe totale 161.67 m2, në emër të shtetasit E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 30.01.2017, me çmimin e vendosur në kontratë prej 200,000 Eurosh.
1.3. Pasuria e paluajtshme “Vilë 2 Kate”, nr.169/77, zona kadastrale nr.2375, volumi 16, faqe 119, me sipërfaqe 162.85 m2 truall dhe sipërfaqe totale ndërtimi 140 m2, ndodhur ne Lalëz, Durrës, në emër të E.F. Kjo pasuri është përfituar me kontratën e datës 19.12.2019 me çmimin e vendosur në kontratë prej 80,000 Eurosh.
1.4. Shuma monetare prej 77,160 frangash zvicerane.
2. Caktimin e masës së sigurimit pasurore “sekuestro preventive” për pasuritë e luajtshme në zotërim indirekt të shtetasit P.K, të mëposhtme:
2.1. Shoqëria tregtare “Kalbaj” sh.p.k, me Nipt L91307007H, si dhe gjitha pasuritë e paluajtshme dhe te luajtshme të kësaj shoqërie tregtare.
Gjithashtu, gjatë hetimeve parapraprake për këtë procedim penal nga kontrollet e kryera në vendin e ushtrimit të aktiviteteve të shoqërisë “Ferizaj-78” sh.p.k dhe kontrollit të banesave janë gjetur dhe sekuestruar sende dhe shuma monetare me një vlerë totale prej rreth 68,000,000 lekësh të cilat dyshohen se përbëjnë produkte të veprës penale.