Në Shqipëri është një komunitet i vogël “tradhtarësh” të “Dëshmitarëve të Jehovait”, që kanë hapur një faqe “ish- Dëshmitarët e Jehovait”.
Top Story arriti të lidhej me njërin prej tyre, por që refuzoi të japë një intervistë.
Personi rrëfeu se kishte qenë për 15 vite më radhë pjesë e “Dëshmitarëve të Jehovait” dhe vetëm 2 vite më parë kishte arritur të shkëputej.
Arsye kishte të bënte me dyshimet se cila ishte në të vërtetë “Dëshmitarët e Jehovait”.
“Kam qënë një nga Deshmitarët e Jehovait për 15 vjet. E njoh fenë nga brenda, si u zhvillua në Shqipëri dhe ndryshimet që kanë ndodhur në doktrinë që nga viti 2000.
U largova pasi kuptova që edhe kjo fe ishte e korruptuar, si gjithë të tjerat në fund të fundit.
Fillova të flas me kursim me persona të tjerë brenda në fe, në lidhje me gjetjet e mia, por kur pleqtë e kongregacionit e moren vesh, pjesëtarët filluan të më shmangin dhe mos të më flisnin apo takonin.
Kjo bëhet në mënyrë që të mos infektoja dhe te tjeret me dyshimet e mia, e kështu t’i bëja që të shkëputeshin nga kongregacioni. Eshtë një praktikë normale për Dëshmitarët e Jehovait.
Kur je brenda nuk e kupton se po mashtrohesh. Njerezit që përbëjnë kongregacionin janë njerëz të mirë në përgjithësi por janë të mashtruar dhe zakonisht qëndrojnë në fe nga frika e armagedonit.
Edhe nese dikush eshte i pakënaqur dhe do të largohet shpesh e mundon pyetja që zakonisht ndodh me sektet fetare “ku do shkoj” po tani” mos jam mashtruar nga fryma e botes, satanai etj.
Duhet nje karakter i fortë për të rifilluar jetën nga e para pasi del nga ajo fe. Kur je brenda nuk e kupton që lavazhi i trurit që të behet përditë me mësimet e përsëritura tërë kohës dhe me frikën që të ngulisin nësë nuk bën atë që pritet nga një besimtar”, tha ai.
Sa i përket thashethemeve që besimtarët e këtij grupimi paguhen me shuma të majme, ai e hedh poshtë këtë variant.
“Ata që paguhen nuk janë besimtarët më besnikë sepse aty të gjithe janë besnikë. Paguhen vetem ata që kanë pasur dëshirë dhe janë lejuar, që të predikojnë rreth 8 ore në ditë.
Marrin një pagesë modeste për të mbuluar shpenzimet. Ata që përfitojnë nga besnikeria e besimtareve janë vetëm ata qe quhen trupi udhëheqës që e kane bazën në SHBA.
Ata quhen të mirosur dhe si te drejtuar nga fryma e shenjtë. Kuptohet që këtu fillon mashtrimi i madh.
Sipas tyre do te shpetohen ata qe therrasin emrin e Jehovait. Por këtë e kanë thënë në mbi 100 vjet.
Pa përmendur herët e shumta që fundi është predikuar sikur ishte shume afër”, ka shtuar ai.
Dëshmitarët e Jehovait, cilat janë parimet kryesore të besimit dhe përse ata janë të kontestuar
Dëshimtarët e Jehovait pretendojnë se kanë 15 parime kryesore. Ata shpresojnë në Armagedonin, që do të jetë përmbysja e madhe e botës dhe do të shpëtojnë vetëm të përzgjedhurit.
Gjithashtu refuzohet shërbimi ushtarak në emër të paqes, apo nderimi i simboleve kombëtare, apo transfuzioni i gjakut që të mos shkaktohet pakënaqësi tek Zoti. Kjo sepse sipas besimtarëve, është vullneti i Zotit të heqin dorë prej gjakut sepse jetën ta jep vetëm Zoti.
Dëshmitarët nuk festojnë, pasi askush nuk meriton të nderohet nëse nuk është Krishti. Ata as Krishtlindjen dhe as Pashkën nuk e besojnë.
Dëshmitarët e Jehovait kanë shkruar Biblën e tyre dhe besojnë se fundi i kësaj bote është shumë pranë:
“Njerëzit që vdesin pushojnë së ekzistuari. Ata nuk vuajnë në një ferr të zjarrtë mundimesh. Zoti do të kthejë miliarda nga vdekja me anë të një ringjalljeje. Sidoqoftë, ata që nuk pranojnë të mësojnë rrugët e Zotit pasi të ringjallen, do të shkatërrohen përgjithmonë pa shpresë të ringjalljes“.
Ata nuk besojnë në ferr. Me vdekjen mbaron jeta, por nëse besimtari ka ndjekur parimet e Zotit mund të jetë mes atyre 144 mijë personave të zgjedhur për t’u ringjallur e për të mbretëruar bashkë me Krishtin mbi një “tokë të re”.