Tensionet në Ballkan kanë arritur kulmin, thuhet në njoftimin plot shqetësim të qeverisë së Britanisë së Madhe, pas një takimi të sekretares së Jashtme me përfaqësuesit e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor.
Sekretarja e Jashtme britanik, Liz Truss, ka takuar sot në Londër ministrat e jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, njofton qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Në njoftim thuhet se diskutimet erdhën, pasi tensionet kanë arritur majën e tyre, duke vënë theksin te situata e krijuar së fundmi në Bosnjë, transmeton Gazeta Express.
“Përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar ka bërë me dije se Bosnja dhe Hercegovina aktualisht po përballet me rrezikun më të madh të ekzistencës së saj, që nga paslufta atje. Po ashtu, ka rrezik të madh të thellimit të ndarjeve dhe konfliktit. Krah partnerëve të saj ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuara po punon për mënjanimin e kërcënimeve ndaj stabilitetit, pas 26 vjetëve të progresit që mezi ishte arritur në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga qeveria.
Situata thuhet të jetë diskutuar edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të shtatë superfuqive të botës, që u mbajt gjatë fundjavës në Liverpool të Anglisë.
“Mbretëria e Bashkuar është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor dhe për mbrojtjen e promovimin e lirisë dhe demokracisë në këtë rajon”, citohet të ketë thënë sekretarja Truss.
Në njoftimin e Qeverisë britanike thuhet se ky shtet ishte nikoqir i Samitit të Ballkanit Perëndimor në vitin 2018, liderët e të cilit dhanë zotime përmes një deklarate të përbashkët për bashkëpunim rajonal, raporte të mira fqinjësore, krimet e luftës dhe per personat e pagjetur në territorin e ish-Jugosllavisë, si dhe për luftimin e korrupsionit. /Express/