Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Amer Kapetanoviç, u takua sot me Zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, duke riafirmuar misionin e RCC-së për të promovuar integrimin evropian dhe euroatlantik si rrugë drejt paqes, sigurisë dhe prosperitetit në Evropën Juglindore.
Takimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të fortë rajonal në sigurimin e qëndrueshmërisë, stabilitetit dhe sigurise afatgjate në Ballkanin Perëndimor. Diskutimet u fokusuan në forcimin e bashkëpunimit rajonal për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë, nga kërcënimet hibride deri te gatishmëria për kriza dhe qëndrueshmëria institucionale.
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Kapetanoviç, theksoi se “për RCC-në, siguria dhe stabiliteti i rajonit tonë janë parakushte për përparim. Do të vazhdojmë të punojmë me të gjithë pjesëmarrësit tanë, duke përfshirë NATO-n, për të mbështetur reformat, ndërtuar besimin dhe siguruar që Ballkani Perëndimor të mbetet i ankoruar në të ardhmen e tij evropiane dhe euroatlantike.”
Gjatë bisedës, Kapetanoviç ndau disa të dhëna nga sondazhi i RCC-së SecuriMeter, i cili pasqyron perceptimet e publikut mbi sfidat e sigurisë. Këto të dhëna tregojnë se qytetarët vazhdojnë ta shohin BE-në dhe NATO-n si ndër organizatat më të besueshme në rajon.
Zëvendëssekretarja e Përgjithshme Shekerinska shprehu vlerësimin e NATO-s për punën e RCC-së duke theksuar se RCC-ja është kyçe për ndërtimin e stabilitetit rajonal dhe forcimin e lidhjeve në Evropën Juglindore dhe me institucionet euroatlantike. Ajo ritheksoi se NATO mbetet e përkushtuar për të mbështetur këto përpjekje dhe për të avancuar qëllimin e përbashkët për një Ballkan Perëndimor të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Lidhur me aktivitetet në vijim, Kapetanoviç njoftoi se RCC-ja do të organizojë këtë nëntor tubimin më të madh rajonal të sigurisë, i njohur në mënyrë joformale si ‘Jumbo Security’, duke bashkuar vendimmarrës, ekspertë të sigurisë dhe partnerë, për të avancuar bashkëpunimin dhe qëndrueshmërinë në një moment kritik për Evropën Juglindore. /skyweb.al