Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, me temë “Ndryshimet demografike dhe dinamika e tregut të punës – sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në Shqipëri, Kosovë dhe rajon”, të organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Kjo konferencë pati si synim të bashkojë akademikë, studiues dhe përfaqësues institucionesh qendrore nga Shqipëria, Kosova, rajoni dhe më gjerë, për të diskutuar një ndër sfidat më të mëdha të kohës sonë: ndërthurjen mes zhvillimeve demografike dhe strukturës së tregut të punës, në kontekstin e qëndrueshmërisë ekonomike.
Gjatë dekadës së fundit, vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënien e lindshmërisë, plakjen e popullsisë dhe emigracionin e qëndrueshëm, prirje këto që kanë prekur pjesëmarrjen në tregun e punës dhe dinamikën e pagave. Këto prirje kanë rikonfiguruar përmasat, përbërjen dhe aftësitë e fuqisë punëtore.
I ftuar si folës në hapjen e konferencës, Guvernatori Sejko diskutoi lidhur me temën “Ndryshimet demografike dhe dinamikat e tregut të punës”. Guvernatori u shpreh se, në kushtet e rritjes globale nën mesataren historike dhe tensioneve gjeopolitike, për ekonomitë e vogla dhe të hapura si e jona, këto zhvillime janë edhe më përcaktuese, pasi ndikojnë në prurjet e kapitalit, kërkesën e jashtme dhe koston e financimit. Në këtë kontekst, demografia dhe tregu i punës janë shtylla kyçe të qëndrueshmërisë.
Ai theksoi se ekonomia e Shqipërisë vijon të shënojë ecuri të mirë. Rritja mbetet pozitive, papunësia është e ulët, inflacioni është nën kontroll dhe sistemi financiar vijon të jetë i qëndrueshëm e fitimprurës. Megjithatë, horizonti afatgjatë kërkon adresimin e disa sfidave strukturore si: rritja e produktivitetit, përshtatja me risitë teknologjike – përfshirë këtu dhe zhvillimin e madh të inteligjencës artificiale e digjitalizimit – si dhe kufizimet në burime, veçanërisht ato që lidhen me tregjet e punës.
Në dritën e objektivit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, integrimi evropian do të krijojë mundësi të reja për tregtinë, investimet dhe konvergjencën institucionale. Megjithatë, përvojat që tashmë kemi nga zgjerimet e mëparshme tregojnë se ky integrim mund të përshpejtojë lëvizshmërinë e fuqisë punëtore, veçanërisht të të rinjve dhe punonjësve të kualifikuar, drejt vendeve anëtare me ekonomi më të zhvilluara.
Guvernatori theksoi se në Shqipëri, si rezultat i kushteve të favorshme të kursit të këmbimit dhe qëndrimeve të duhura të politikës monetare, inflacioni qëndron pranë objektivit të bankës qendrore. Megjithatë, në harkun kohor afatmesëm apo afatgjatë, ndryshimet strukturore në tregun e punës mund të shkaktojnë presione inflacioniste. Deficiti strukturor i vazhdueshëm i fuqisë punëtore, i shoqëruar me plakjen e popullsisë, emigracionin dhe mospërputhjen e aftësive, mund të shkaktojë rritje të pakthyeshme të pagave, veçanërisht nëse nuk shoqërohet edhe me rritje të produktivitetit. Në afat të gjatë, këto dinamika demografike ushtrojnë presion, duke kufizuar kapacitetin e politikës monetare për të stimuluar aktivitetin ekonomik.