Të martën, më 17 shkurt 2026, Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë. Axhenda shtetërore nuk mungoi; aktivitetet ishin të shumta, duke nisur nga mbledhja solemne, tek parakalimi i ushtrisë dhe Policisë së Kosovës.
Por, ajo që ra në sy ishte mungesa e tre deputetëve të komuniteteve jo shumicë, më saktësisht boshnjak, egjiptian dhe goran. Fridon Lala, Duda Balje dhe Adem Hoxha nuk ishin të pranishëm për të festuar Pavarësinë e Kosovës.
Në përgjigje, Lala dhe Balje kanë deklaruar se arsyeja e mospranishmërisë së tyre dje në seancë dhe aktivitetet e tjera të kremtimit ishte gjendja shëndetësore.
“Unë nuk kam munguar në seancat e kaluara, por dje kam pasur disa probleme shëndetësore dhe më është dashur të intervenoje. Sot vazhdoj të marr pjesë në komisione dhe të gjitha aktivitetet”, tha ai për Insajderin.
Ndërkohë, deputetja Balje ka deklaruar se “Jam me grip shumë të keq, me infuziona”.
Në anën tjetër, deri tani nuk ka kthyer përgjigje deputeti goran, Adem Hoxha.