Seanca për rrëzimin ose jo të Hotit, Gjykata Kushtetuese jep detaje për Express - Gazeta Express
string(78) "seanca-per-rrezimin-ose-jo-te-hotit-gjykata-kushtetuese-jep-detaje-per-express"

Lajme

Arlena Krivenjeva

30/11/2020 14:55

Seanca për rrëzimin ose jo të Hotit, Gjykata Kushtetuese jep detaje për Express

Lajme

Arlena Krivenjeva

30/11/2020 14:55

Karshi zhvillimeve që kanë ndodhur ditëve të fundit, posaçërisht me fitoren e LVV-së në Podujevë, partia që udhëhiqet nga Albin Kurti mund ta marrë një shans të dytë me datë dy dhjetor edhe nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë ditë pritet që GJK-ja në një seancë publike të dëgjojë opinionet e palëve, derisa në fund do të publikohet edhe verdikti lidhur me ligjshmërinë apo jo të votës së deputetit Etem Arifi. Një vendim pro Vetëvendosjes sjell një situatë të re politike në vend, shkruan Gazeta Express.

Të gjitha palët i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së Gjykatës Kushtetuese për seancë publike që do të mbahet me datë 2 dhjetor.

Lexo Edhe:

Në një përgjigje për Gazetën Express nga ky institucion kanë bërë të ditur se seanca do të fillojë në orën 10:00.

Kjo seancë dëgjimore do të mbahet përmes video-konferencës e në Kushtetuese thonë se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj.

“Në seancën dëgjimore publike e cila do të mbahet më 2 dhjetor 2020, me fillim në ora 10:00, do të marrin pjesë të gjitha palët e interesit të përfshira në rast. Për shkak të situatës aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore publike do të mbahet nëpërmjet video-konferencës (online) dhe tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e saj”, thotë zyra për media e Gjykatës Kushtetuese për Gazetën Express.

GJK-ja bën të ditur se palët nuk kanë kërkuar shtyrjen e seancës dhe se gjatë ditës së nesërme do të njoftojë për informacione më të detajuara.

“Asnjëra nga palët e përfshira në rast nuk ka kërkuar shtyrjen e seancës. Për më shumë hollësi rreth mundësisë së përcjelljes së drejtpërdrejtë të seancës dëgjimore publike, do të mund t’i referoheni edhe njoftimit për media që Gjykata do ta publikojë gjatë ditës së nesërme”, thotë Gjykata.

Si do të mbahet seanca?

Seancat dëgjimore në Kushtetuese mund të mbahen në rast se Gjykata urdhëron mbajtjen e tyre, duke besuar se në këtë mënyrë mund të qartësohen provat.

Këto seanca janë publike përveç nëse urdhërohet ndryshe nga Gjykata, kur ka arsyetim të mirë sipas Ligjit ose sipas kësaj Rregulloreje.

Të gjitha seancat dëgjimore do të jenë të hapura për qytetarët, përveç kur Gjykata urdhëron përjashtimin e qytetarëve nga seanca, nëse një përjashtim i tillë kërkohet për sigurinë e ndonjërës nga palët ose të përfaqësuesve të tyre, apo për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike.

”Çdo pale, përfaqësuesi, dëshmitari ose pjesëmarrësi tjetër në seancë dëgjimore, sjellja e të cilit ndaj gjyqtarit ose ndaj Sekretarit të Përgjithshëm nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës, ose i cili sillet në mënyrë fyese ndaj palës tjetër apo të ndonjë përfaqësuesi të palës tjetër, mund t’i shqiptohet vërejtje nga Kryetari dhe t’i jepet mundësia të mbrojë veten. Kryetari, në konsultim me gjyqtarët, mund të urdhërojë shqiptimin e masave disiplinore, përfshirë shqiptimin e gjobës, në pajtim me normat e vendosura nga Gjykata, ose, në raste të jashtëzakonshme, përjashtimin nga seanca dëgjimore”, thuhet në rregulloren e këtij institucioni, ku bëhet e ditur gjithashtu se kryetari mund ta përjashtojë një vëzhgues nga seanca, nëse sjellja e tij/saj nuk është në pajtim me dinjitetin e Gjykatës apo nëse ai/ajo shkakton shqetësim në Gjykatë.

Seanca mund të shtyhet nga kryetari i Gjykatës nëse ndonjëra palë dëshmon se për ndonjë arsye të rëndësishme nuk mund të marrë pjesë në seancë.

Kryetari vendos nëse do të urdhërojë shtyrjen e seancës dëgjimore dhe Sekretariati i njofton palët me një vendim të tillë. Kur urdhëron shtyrjen e seancës, Kryetari mund të urdhërojë që pala, e cila ka bërë kërkesë, të paguajë shpenzimet që ajo palë ia ka shkaktuar palës tjetër ose palëve të tjera, si rezultat i kërkesës për shtyrje.

Kryetari e hap seancën dëgjimore dhe është përgjegjës për sjelljen e duhur gjatë seancës. Pala që është e përfaqësuar mund t’i drejtohet Gjykatës nëpërmjet përfaqësuesit, përveç nëse gjyqtari i bën ndonjë pyetje drejtpërsëdrejti palës.

Me datë 2 dhjetor palëve të përfshira do t’u jepet mundësia që shkurtimisht t’i paraqesin argumentet e tyre përmes prezantimeve.

Ato duhet të jenë të kufizuara vetëm në fakte dhe në çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me kërkesën. Kryetari mund t’ia kufizojë secilës palë periudhën kohore të caktuar për këtë prezantim, derisa, gjatë seancës, gjyqtarët mund t’u parashtrojnë pyetje përfaqësuesve të palëve, ose drejtpërsëdrejti cilësdo palë.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore, Gjykata do të tërhiqet për këshillim. Të njëjtat mbeten konfidenciale, derisa merret vendim për rastin dhe përgatitet projektvendimi i Gjykatës.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit, Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye LVV-ja ishte drejtuar për interpretim në Kushtetuese. Cilido vendim i këtij organi mund të sjellë një situatë të re politike në vend. /GazetaExpress/