Galeria Kombëtare e Kosovës në Prishtinë do të hapë ekspozitën personale nga Dren Maliqi i cili njihet për punën e tij mbresëlënëse të vitit 2003, “Face to Face”, e cila në mënyrë kontraverse i bëri bashkë Elvis Presley-n dhe Adem Jasharin në stilin pop-art të frymëzuar nga Andy Warhol. E titulluar “Dren Maliqi – Spätwerk”, ekspozita është kuruar nga kuratorja australiane me banim në Berlin, Catherine Nichols dhe do të zgjasë nga 19 shtatori deri më 30 tetor 2024.
Kjo ekspozitë prezanton punë nga viti 2003 deri në vitin 2023. Duke përfshirë fotografi, video, piktura, instalacione, postera, pjesë të bazuara në tekste si dhe forma të ndryshme të praktikave pjesëmarrëse shoqërore, punët dëshmojnë vazhdimësitë dhe shkëputjet, periudhat e pjesëmarrjes dhe tërheqjes dhe mbi të gjitha tensionin ndërmjet mendimit dhe veprimit që e karakterizon punën e Maliqit. Në katin e parë të galerisë në një rrjedhë të vazhdueshme shfaqen punët e vjetra e të
njohura krahas atyre më të reja. Veprat eksplorojnë kontekstet historike, sociale, kulturore dhe politike në të cilat janë krijuar. Në të njëjtën kohë, ato vënë në pyetje historinë dhe natyrën e artit bashkëkohor dhe aspektet sociale dhe politike të botës së artit.
Dren Maliqi – Spätwerkështë konceptuar si reflektim kritik mbi këtë proces të vazhdueshëm të mendimit. Nëntitulli në gjuhën gjermane u zgjodh nga artisti si një aludim vetë-ironik ndaj traditës filozofike dhe artit-historik gjerman. Shikuar nga pikëpamja e së tashmes, linjat mes së hershmes dhe së vonshmes fillojnë të mjegullohen. Dikush mund të mendojë që edhe punët e hershme janë disi të vonuara: vonë në kohë, vonë në histori, vonë për t’u kthyer në ballë të mendjes së artistit? Çfarë këndvështrime të reja mund të përfitohen nga të menduarit e punëve në këtë mënyrë?
Duke marrë parasysh punët brenda konteksteve kohore, shoqërore dhe artistike gjatë krijimit të tyre, ekspozita shqyrton shtrirjen e artit konceptual dhe të zakoneve shoqërore, veçanërisht nocionin e ‘të jetuarit si formë’ në Kosovën bashkëkohore. Në përgjithësi, prezantimi i këtij lloji të zgjeruar të praktikës artistike synon të sfidojë diskursin aktual artistik në Kosovë në lidhje me atë që përbën praktikën artistike dhe rolin që një praktikë e tillë mund të luaj në formësimin dhe transformimin e shoqërisë.
Ekspozita do të shoqërohet me një simpozium i cili do të mbahet më 18/19 tetor 2024. E titulluar Jo! Për politikën dhe estetikën e refuzimit, merr si pikënisje dinamikën e refuzimit dhe tërheqjes të cilën Maliqi ndan me artistë dhe aktivistë nga kontekste të ndryshme kulturore që nga fillimet e modernitetit. Simpoziumi bën bashkë mendimtarë, shkrimtarë, historianë, artistë dhe aktivistë të njohur ndërkombëtarisht për të diskutuar për nevojën për të thënë jo, për t’u shkëputur, për të rezistuar, për të hequr dorë kur ndonjë situatë bëhet e paqëndrueshme.
Gjatë simpoziumit do të publikohet një katalog gjithëpërfshirës në dy gjuhë i dizajnuar nga Bardh Haliti. Në të gjenden ilustrimet me ngjyra të punëve me tekste nga Catherine Nichols, Sezgin Boynik dhe Shkëlzen Maliqi si dhe intervista kuratoriale me artistin.
Kuruar nga Catherine Nichols
Dren Maliqi (l. 1981) është artist që jeton dhe punon në Prishtinë, Kosovë. Ai ka studiuar në Fakultetin e Arteve Figurative në Universitetit të Prishtinës. Në punimet e tija Maliqi përdor forma të ndryshme artistike: pikturë, fotografi, video dhe instalim, me të cilat ka marrë pjesë në ekspozita që nga viti 2002. Po ashtu, ai është edhe punëtor i pavarur kulturor dhe vazhdimisht është i angazhuar në projekte të ndryshme kulturore në Kosovë. Qëllimi i tij kryesor është të zhvillojë një mjedis të qëndrueshëm kulturor rreth tij dhe të tjerëve, me asgjë tjetër veç punës këmbëngulëse dhe optimizmit.
Catherine Nichols është studiuese e artit dhe letërsisë, kuratore dhe shkrimtare. Që nga përfundimi i doktoraturës në letërsi krahasuese në vitin 2001, ajo është vendosur në Berlin. Aktualisht punon si kuratore në Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart në Berlin, ekspozita e saj e fundit duke qenë Alexandra Pirici – Attune. Në vitin 2022 ajo ishte kuratore e Manifesta 14 Prishtinë: ka rëndësi se çfarë botësh bota botëron: si të tregojmë histori ndryshe. Në vitin 2021 ajo bashkëudhëheqi beuys 2021, i cili është program njëvjeçar që përfshin rreth 30 ngjarje kulturore në regjionin e Rhein-Westfalisë së Veriut, si dhe një radio stacion online, një simpozium dhe një laborator ndërdisiplinor që eksploron format radikale demokratike të kolektivitetit. Përveç kurimit të një game të gjerë të ekspozitave të historisë kulturore në institucione anembanë Gjermanisë me tema të cilat shtrihen nga reformimi tek pasionet, nga dielli tek seksualiteti, ajo ka organizuar shumë ekspozita monografike dhe tematike të artit duke përfshirë Beuys: Ne jemi Revolucioni, Fundi i Shekulli i 20-të: Më e mira akoma do të vijë dhe Kapitali: Borxhi – Territori – Utopia për Galerinë Kombëtare të Hamburger Bahnhof – Muzeu für Gegenwart – Berlin (në bashkëpunim me Eugen Blume) dhe Të gjithë janë Artist: Ushtrime Kozmopolitike me Joseph Beuys (në bashkëpunim me Isabelle Malz dhe Eugen Blume) në K20 Kunstsammlung Nordrhein-Westfalen në Düsseldorf. Ajo ka botuar gjerësisht për artin bashkëkohor, si dhe ka qenë redaktore e shumë katalogjeve dhe librave.