Së shpejti në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “ç’nuk dija që e kisha ditë...” - Gazeta Express
string(89) "se-shpejti-ne-galerine-e-ministrise-se-kultures-hapet-ekspozita-cnuk-dija-qe-e-kisha-dite"

Së shpejti në Galerinë e Ministrisë së Kulturës hapet ekspozita “ç’nuk dija që e kisha ditë…”

Arte

Gazeta Express

23/03/2023 15:40

Galeria e Ministrisë së Kulturës fton në hapjen e ekspozitës “ç’nuk dija që e kisha ditë…” e artistes Lala Meredith – Vula, kuruar nga Edi Muka me tingujt e kompozuar nga John Young me datën 6 prill 2023, në ora 18:00.

Ç’nuk dija që e kisha ditë është titulli i ekspozitës vetjake të Lala Meredith Vulës në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Kosovë. Në të prezantohet një instalacion skulpturor dhe një rrjedhë imazhesh të projektuara, të marra nga arkiva e gjerë e krijimtarisë së artistes gjatë viteve. Hapësira në hyrje të galerisë është e zënë nga një mullar sane i cili duket sikur është jetësuar nga fotografitë e artistes. Në tre nga muret e hapësirës tjetër të galerisë imazhet e projektuara i zënë vendin njëri-tjetrit duke krijuar përshtypjen e një lëvizjeje rrethore. Muret e rrjepura të një hamami të vjetër që pothuajse shkrihen me lëkurën e grave dhe fëmijëve që lahen… fëmijë në gjumë, prindër në gjumë, foshnja në gjumë, një botë e tërë në gjumë, në prehje, e paqtë, e trazuar, e çarmatosur… shtëpi të vjetra si nga rrëfenja të lashta që mezi qëndrojnë në këmbë… skelete shtëpish, vrraga të një dhune të papërballueshme… shtëpi të reja si ndërtesa gjasme të dala nga një skenografi filmi… bunkerë të çrrënjosur që duken si skulptura abstrakte të mëdha… tanke e mjete të blinduara, të rreshtuara me rregull, të braktisura, duke u kalbur… kafshë,

Lexo Edhe:

tek hanë, tek pinë, tek punojnë apo pushojnë… pemë në lulëzim dhe të korra të mbara… bletërritës dhe hoje… e sërish njerëz, e sërish vende…

Në këtë përmbytje imazhërore ka dicka hipnotizuese. Rrëfimet vetjake dhe ngjarjet historike kapërthehen me njëra-tjetrën. Copëza buzëqeshje, një rrudhë shqetësimi në ballë, një dorë mbështetëse apo një shkallë e vjetër flasin më shumë se vetë fjalët.

Sipas kuratorit Edi Muka, “Lala Meredith Vula fotografon me instiktet e saj. Takimi me Kosovën shumë vite më parë, luajti një rol të rëndësishëm në formimin e saj si artiste. Ç’nuk dija që e kisha ditë është një ftesë për t’u përhumbur në botën e imazheve të artistes, dhe në këtë mënyrë për t’ju bashkuar dhe përjetuar udhëtimin e saj. Rrjedha e imazheve në këtë ekspozitë thur një hartë komplekse shtigjesh të cilat duhen shkelur. Në këtë udhëtim mendor edhe ne biem pre e magjepsjes, teksa takojmë njerëz, vende dhe histori që na shfaqen para syve, ashtu siç toka përshfaqet nga përtej horizontit nën këmbët e udhëtares së palodhur”.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 6 qershor 2023.

/Express/