Së paku 16 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indonezi - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

15/07/2020 8:52

Së paku 16 të vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në Indonezi

Lajme

Gazeta Express

15/07/2020 8:52

Vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut kanë shkaktuar së paku 16 viktima dhe i kanë detyruar qindra të tjerë të zhvendosen në një distrikt të ishullit Sulawesi në Indonezi. Lajmin e bënë të ditur zyrtarët e shërbimeve emergjente.

Ekipet e kërkim-shpëtimit janë ende duke i kërkuar 23 persona të zhdukur pasi vërshimet e goditën distriktin e Luwu-s Verior të provincës së Sulawesi-t Jugor, tha Raditya Jati, zëdhënës i agjencisë kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive.

Guvernatori i kësaj province, Nurdin Abdullah, tha: “Shpresoj të jemi të bashkuar në përpjekjet tona për rimëkëmbje”, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Reshjet e mëdha të shiut kanë bërë që tre lumenj të dalin nga shtrati, duke i detyruar 655 persona që të zhvendosen për shkak të vërshimeve.

Indonezia shpesh përballet me vërshime dhe rrëshqitje dheu, sidomos gjatë sezonit të reshjeve, ndonëse situata rëndohet edhe nga prerja e pyjeve.

Në janar të këtij viti, 66 persona vdiqën nga vërshimet në Xhakarta, kur u regjistruan disa prej reshjeve më të mëdha në histori të vendit.