"S'e kam lexuar raportin", zyrtari i AAK-së i reagon kryeministrit Kurti - Gazeta Express
string(68) "se-kam-lexuar-raportin-zyrtari-i-aak-se-i-reagon-kryeministrit-kurti"

“S’e kam lexuar raportin”, zyrtari i AAK-së i reagon kryeministrit Kurti

Instant

Gazeta Express

25/06/2021 12:12

Zyrtari i AAK-së, Selim Selimi i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit tha se nuk e ka lexuar raportin e ShBA-së lidhur me fizibilitetin e Liqenit të Ujmanit, raporton Gazeta Express.

Selimi përmes një cicërime në Twitter ka thënë se ‘nuk e kam lexuar raportin’ do të jetë motoja e Qeverisë së Kosovës për blerje të kohës.

“’Nuk e kam lexuar raportin’ – kjo do të jetë moto e Qeverisë për blerje të kohës”.

Kurti sot ka thënë se nuk e ka lexuar ende raportin dhe se ekipet që merren me këtë çështje do ta analizojnë atë dhe më pas do të dalin me qëndrim.

“Nuk e kam lexuar ende raportin, kemi ekipet që merren me këtë gjë, dhe pastaj do ta komentojmë”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dorëzuan Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që ishte pjesë e Marrëveshjes së 4 Shtatorit 2020, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump. 

Me këtë marrëveshje synohej përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi.

Raporti për fizibilitetin e Ujmanit përmban katër rekomandime se si Kosova dhe Serbia duhet të punojnë në menaxhimin e Liqenit të Ujmanit.

Në këtë raport, amerikanët kanë propozuar që Kosova dhe Serbia të punojnë sipas një Traktati për Lumin Columbia mes ShBA-së dhe Kanadasë.

“Në propozojmë që Kosova dhe Serbia të marrin në konsideratë aranzhimet teknike nga traktati ndërmjet SHBA-së dhe Kanadasë për lumin Kolumbia në lidhje me furnizimin me ujë, të agjencive të energjisë dhe kontrollimit të përmbytjeve duke modeluar nevojat institucionale për të mbështetur një komision të tillë edhe për lumin Ibër ”, thuhet në raport.