(S)dua të shoh - Gazeta Express
string(12) "sdua-te-shoh"

(S)dua të shoh

Arte

Valona Hasani

08/12/2022 15:28

Premierën e shfaqjes ‘Molly’ e mirëpritën publiku i gjerë në sallën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, gjatë mbrëmjes së 7 dhjetorit

Nga Valona Hasani

Lexo Edhe:

Shfaqja ‘Molly’, trajton përjetimet e personave me aftësi të kufizuara. Të tre aktorët, në parim, edhe pse duket paradoksale, por secili prej tyre është i veçantë, në një mënyrë ose në tjetrën.

Asgjë s’është siç duket edhe kripa duket si sheqer

Një grua e verbër, një burrë temperament dhe një doktor karrierist, secili me një epitet që mund ta shpërfaqë atë që në të vërtetë janë. Tri personazhe me role të dyfishta. Sikur të tre ta fusnin në punë alter-egon.

Gruaja që di të kërcejë dhe ka njohuri të jashtëzakonshme për natyrën, sidomos për lulet.

Burri i saj që e do perfeksionin, por që vetë s’është i tillë. Doktori, i cili për karrierë e shkel betimin e profesionit të tij.

Ngjarja zhvillohet me një grua të verbër, e ulur në shtrat spitalor, që shumicën e kohës lëkundet dhe sillet.

Tundja e shtratit na linte hapësirë të kuptohej neglizhenca e institucioneve shëndetësore për ta trajtuar një person që është i sëmurë.

Sa herë që shtrati tundet nga njëra anë në tjetrën, pavetëdijshëm mendja të shkonte trokitja monotone nëpër zyrat e doktorëve, sorollatja e vazhdueshme në vendet ku do të duhej të ofrohej ndihma mjekësore.

I shoqi i gruas dëshiron një bashkëshorte të përsosur, duke ushtruar presion psikik në të, ndonjëherë duke iu referuar me bërtitma të shpeshta: ‘Duhet të shohësh’.

Doktori tregon egoizmin për arritje profesionale, e praktikon mbi një grua të verbër.

(S)dua të shoh

‘Më mirë mos të të shihja kurrë’, është fjalia që përdoret kur realiteti i shëmtuar ta gjuan pa mëshirë imagjinatën për toke.
Molly i operoi sytë dhe filloi të shihte. Mjeku ia vendosi një dritë para syve, duke e pyetur se çfarë po shihte, fjalia e parë që ajo e tha ishte ‘Po e shoh një dritë që dhemb’.

Molly e pati një operacion të suksesshëm, por jo një trajtim të duhur nga burri dhe doktori pas kthimit të shikimit.

Shikimi i Mollyt u kthye, me të bashkë u kthyen edhe traumat e presioni i ushtruar nga burri dhe mjeku.

Molly kishte imagjinuar një botë tjetër nga kjo që i shfaqej përpara syve.

Imagjinata e njerëzve si ajo ishte me bukur sesa një botë mizore kur secili merr udhë sipas interesave vetanake.

Shfaqja s’e kishte vetëm imagjinatën e kësaj gruaje, ishin të imagjinuara edhe vendet e mjekët ku ajo herë pas herë komunikonte me ta.

Historiku i familjes së saj është pak a shumë i ngjashëm me fundin e kësaj shfaqje.

Babai i saj refuzonte ta dërgonte në një shkollë për të verbër, ndërsa e ëma, pjesën më të madhe të jetës e kishe kaluar në një spital psikiatrik.

Aty ku në fund përfundoi edhe Molly e lidhur me duar nga mbrapa me një çarçaf të bardhë.

S’ka asgjë për të humbur, sikur të hiqej shkronja ‘s’ bashkë më apostrofin dhe asgjëja të kthehet në gjithçka

Si u rrotulluan fjalitë s’ka asgjë për të humbur, në ‘ka gjithçka për të humbur’?

Përpara operacionit Molly s’kishte asgjë për të humbur, sipas doktorit dhe të shoqit, por pastaj…

Molly ishte një grua e guximshme, që kënaqej me gjëra të vogla, e shihte botën në mënyrë naive.

Ajo dinte të vallëzonte, dinte çdo lloj të luleve…

Pasi të gjitha këto u vunë në pah, për të dy ata burra, Molly kishte gjithçka për të humbur.

Mizorisht kur njerëzit arrijnë t’i shohin aftësitë pra për ta ke çdo gjë për të humbur, por nëse je i paaftë t’i shpërfaqesh ato, ti thjesht je hiç gjë.

Sikur në këtë jetë nuk ke rëndësi, edhe sikur rëndësinë ta japin individ të tjerë.

Në mesin e shfaqjes dritat në sallën e zezë u ndalën për t’iu kthyer tematikes se përjetimeve të personave me aftësi të kufizuara. Skena ishte në terr për më shumë se 60 sekonda.

Në ndërkohë që njëri prej aktorëve i bëri një pyetje të pranishmeve

“A ju ka shkuar ndonjëherë ndërmend të ftoni një person të verbër në teatër, kinema apo në një klub nate?!”

Shfaqja e premierës së Mollyt, dedikuar personave me aftësi të kufizuara përfundoi shpejt, por kaq shpejtë nuk përfunduan edhe duartrokitjet për regjisoren dhe aktorët.

Reflektim

“Molly” erdhi si premierë në muajin e personave me aftësi të kufizuara, jo veç për të ngritur vetëdijen, por edhe për të vënë në pah se arti i teatrit di shumë mirë të punojë për kauza dhe ta dyzojë anën artistike me problemet e përditshme. Ajo që u vu në thumb dhe që në fakt ishte ‘gjetje’ në këtë shfaqje ishte shëndeti mendor. Traumat psikike, neglizhenca e shoqërisë e familjes dhe e mjekëve, ose thënë më mirë forcimi nga ana e tyre po krijonin një hallk në mendjen e Molly-t që nuk fshihej lehtë e që linte pasoja edhe më të mëdha se vetë problemi me të parit që ajo e kishte.

Shënim: vendet, emrat dhe ngjarja janë të imagjinuara, nuk kanë ndërlidhje direkt me Kosovën. Ngjarja në shfaqje tenton të përfshijë secilin individ e secilën shoqëri për të njëjtën arsye besohet që janë përdorur emra njerëzish e vendesh imagjinar.

Shfaqje autoriale e regjisores Sibel Abdiu (sipas Brian Friel) Aktorët: Verona Koxha, Afrim Muçaj, Bujar Ahmeti;

Kompozitor: Albin Sopa;

Artist vizual: Lulzim Luigji Bejta;

Inspiciente: Nazmije Krasniqi.

/Gazeta Express