Scholes kritikon ashpër Lingardin - Gazeta Express

Scholes kritikon ashpër Lingardin

Sport

Gazeta Express

06/08/2020 13:50

Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, e ka kritikuar ashpër Jesse Lingardin pas fitores të së mërkurës të Djajve të Kuq në Ligën e Evropës kundër LASK, duke thënë futbollisti anglez nuk ka qenë mjaftueshëm i mirë së fundi.

Jesse Lingard e zhbllokoi rezultatin e ndeshjes kundër klubit austriak, në ndeshjen që Manchester Unitedi mori fitore 2:1 dhe e siguroi vendin në çerekfinale të Ligës së Evropës, transmeton Gazeta Express.

Lingard shënoi në minutën e 57-të të ndeshjes, mirëpo u zëvendësua jo shumë kohë më vonë nga ndeshja. Scholes beson se kjo e dëshmon që Lingard mund të largohet nga Djajtë e Kuq së shpejti.

“Së fundi, ai s’ka qenë mjaftueshëm i mirë. Ishte shenjë fakti që ai e largoi Lingardin nga loja pas rreth një ore lojë, kur të gjithë e dimë se ai nuk do të jetë titullar të hënën”, ka thënë Scholes.

“E njëjta vlen edhe për Fredin. Trajneri ndoshta dëshiron t’i largojë ata nga skuadra”.

“Unë e di se çfarë aftësish ka Jesse, por në Manchester United ai është bërë lojtar skuadre, por jo titullar. Përveç nëse ka shumë lëndime, unë nuk mund ta paramendoj Jessen titullar në disa ndeshje radhazi”.

“Më pëlqen Jesse, por nuk mund ta paramendoj atë si titullar të rregullt”. /Gazeta Express/