Lideri i një vendi të vogël si Shqipëria zor që mund të kapë vëmendjen e mediave ndërkombëtare apo të udhëheqë temën e ditës në rrjete sociale për shkak të rëndësisë që mund të ketë në samite të mëdha siç ishte dje ai i Komunitetit Politik Europian. Megjithatë, Edi Rama e bën përmes shakave, ironisë apo edhe deklaratave jo fort të zakonshme që bën kur takohet me liderë të vendeve të mëdha. Por, një me ironi për mungesën e njohurive gjeografike apo gafë të Donald Trump nuk i doli ashtu siç mund ta priste. Për më tepër, në talljen me presidentin amerikan e tërhoqi edhe presidentin francez dhe atë të Azerbajxhanit.
Gazeta Express
Donald Trump e ka ngatërruar Shqipërinë me Armeninë tri herë në deklaratat e tij publike derisa fliste për meritat e tij në ndaljen e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
“Unë zgjidha luftëra që ishin të pazgjidhshme. Azerbajxhani dhe Shqipëria, po vazhdonin për shumë, shumë vite, kisha kryeministrat dhe presidentët në zyrën time”, tha ai gjatë një paraqitjeje në Fox News muajin e kaluar.
Shqipërinë e ngatërroi sërish në një deklaratë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Britanik, Keir Starmer. Kësaj radhe, Trump i huqi edhe me emrin e Azerbajxhanit, por jo duke e ngatërruar me një vend tjetër sikurse me Armeninë.
“Ne zgjidhëm [konfliktin mes] Axerbaixhanit dhe Shqipërisë”, tha Trump.
Në Kopenhagë kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Azerbajxhanit në një moment ishin bashkë dhe këtu Rama s’e lëshoi rastin pa një batutë të stilit të tij.
Në këtë mes e përfshiu edhe presidentin francez Emmanuel Macron, i cili ia vazhdoi batutën, ndërsa presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, shpërtheu në të qeshura.
“Duhet të na kërkoni falje… sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”, i tha Rama Macronit.
“Më vjen keq për këtë”, bëri shaka Macron.
“Ai punoi fuqishëm”, e vazhdoi Rama ironinë.
Kjo bisedë mes liderëve u filmua dhe u shpërnda gjerësisht në media e rrjete sociale.
Nga vëmendja s’iu shpëtoi as amerikanëve.
Kongresisti demokrat, Eric Swalwell, shpërndau këtë video dhe u ankua se po tallen me amerikanët.
“Ata po qeshin me ne”, shkroi shkurt ai.
They are laughing at us https://t.co/uqS1yt8O9z
— Rep. Eric Swalwell (@RepSwalwell) October 2, 2025
“Macron i Francës dhe udhëheqësi shqiptar u kapën duke qeshur me konfuzionin e përsëritur të Trump se ku mendon ai se i ka përfunduar luftërat”, ishte titulli i gazetës online britanike “The Independent” në anën tjetër.
Jehonë kësaj ngjarje i dhanë edhe plot mediume të tjera.
Shakaja me Trumpin mund të mos jetë problematike për diplomacinë shqiptare, për të cilën Rama edhe u kritikua në opinionin vendor.
Kjo e shtyu atë të dalë me një reagim në gjuhën angleze në X ku fajësoi mediat për shtrembërim të realitetit.
Rama këtu foli fjalë të mëdha për Trump në përpjekjen për të shuar zërat kritikë.
“Është vërtet e jashtëzakonshme se si funksionon media sot dhe si e ashtuquajtura “viralitet” mund ta shtrembërojë realitetin kaq lehtë. Një fjali e thënë me humor të mirë, në frymën e miqësisë, papritur shndërrohet në titull kryesor në mbarë botën për një samit të tërë mes dhjetëra kombesh, ndërkohë që gjithçka tjetër, ajo që ka vërtet rëndësi, bëhet e parëndësishme”, shkroi Rama në X.
Ngatërresën e përsëritur të Trump, Rama e quajti “lëshim” dhe tha se shakanë e bëri pa ndonjë tendencë.
“Por po, ishte një moment i këndshëm sot të isha me mikun tim të vjetër Ilham Aliyev dhe, në praninë e mikut tonë të dashur të përbashkët Emmanuel Macron, të bëja një referencë ndaj një lëshimi të Presidentit Trump, që edhe Shqipëria paskësh arritur të bëjë paqe me Azerbajxhanin, ndërkohë që Emmanueli vetë kishte punuar pa u lodhur, për një kohë të gjatë, për të sjellë paqen mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Një koment plot humor, një moment miqësor. Sigurisht, nuk ka problem nëse përhapet, por ta shtrembërosh dhe ta kthesh në helm politik është thjesht e padrejtë”, tha ai.
Prandaj, le të sqarojmë të vërtetën, tha Rama dhe i dha meritat Trump për rolin e tij në konfliktet botërore.
“E vërteta është që Presidenti Trump ka treguar veten si një lider që e riktheu fjalën “paqe” në fjalorin e Perëndimit pas shumë vitesh. Dhe po, në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ai ka arritur paqe atje ku të tjerët kanë provuar dhe kanë dështuar dhe ai vazhdon ta ndjekë këtë mision me këmbëngulje. Ai shkëmbim ishte asgjë më shumë se një moment humori të mirë mes njerëzve që, në fakt, janë ndër admiruesit më të mëdhenj të Presidentit Trump”.
“Kujto se je i vdekshëm”.
Analisti politik në Kosovë, Blerim Latifi, i përshpëriti Ramës një thënie të famshme romake për liderët që janë në kulmin “e dehjes” nga pushteti.
Sidoqoftë, Latifi ia njohu aftësinë ironizuese të Ramës dhe të marrjes së vëmendjes në forume të mëdha, por tha se ai duhet ta dijë ta bëjë atë me masë dhe të mos “vetëlëndohet” në diplomaci.
“Shkathtësia për të treguar batuta goditëse është një nga armët më të fuqishme të komunikimit politik të Edi Ramës. Aftësia e tij për të futur një batutë ironike ose therëse e bën të dallohet menjëherë edhe në forumet ndërkombëtare, ku Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të madhe diplomatike. Por, siç na mësonin grekët e vjetër, gjithçka duhet bërë me masë, sepse kur masa kalohet, edhe batuta kthehet në kundërefekt. Vetëlëndimi diplomatik i Ramës me talljen ndaj Trumpit është shembull i qartë i këtij teprimi” shkroi ai.
Tani që pushteti i tij në Shqipëri është fuqizuar deri në atë shkallë sa që duket i pathyeshëm, ndoshta ka ardhur koha që dikush t’ia pëshpërisë në vesh atë frazën e famshme romake, e cila u thuhej cezarëve në kulmin e dehjes së tyre nga madhështia e pushtetit: memento mori, kujto se je i vdekshëm”, vazhdoi Latifi.