Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) i uroi punëtorët e arsimit dhe nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor, duke u apeluar autoriteteve komunale që “të mos u bëjnë presion mësimdhënësve”, për, siç thuhet, “nënshkrimin e dofarë kontratash të reja të punës”.
“SBASHK-u apelon te institucionet komunale që të mos bëjnë presion te mësimdhënësit për nënshkrimin e dofarë Kontratash të reja të punës sepse punëtorët arsimor kanë kontrata pune dhe prandaj nuk kanë pse të nënshkruajnë kontrata të reja, që janë shumë më të pafavorshme se këto që i kanë tani e sa vite”, thuhet në një njoftim.
SBASHK-u tha se i ka kryer të gjitha përgatitjet, ndërsa kritikoi qasjen e Ministrisë së Arsimit për çështjen e teksteve shkollore.
“SBASHK-u i uron edhe nxënësit dhe prindërit duke ju dëshiruar sa më pak stres lidhur me furnizimin me tekste shkollore, që për të tretën herë po bëhet nga znj. Nagavci dhe stafi saj në mënyrën më të gabuar të mundshme”.
“Në këtë 1 shator kujtojmë anëtarësinë se SBASHK-u ka bërë gjithë përgatitjet duke qene i gatshëm për dialog apo edhe për veprime sindikale lidhur me kërkesat e duke veçuar Kontratën Kolektive, realizimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që edhe 15 vitet e para të paguhen 0.5 % të vlerë s së pagës, që të ngritet vlera e koeficientit të pagave, që të përmirësohen kushtet e punës e shumë kërkesa të tjera, të cilat u grumbulluan për shkak të qëndrimit të gabuar e madje armiqësor të Qeverisë Kurti ndaj sindikatave”, thuhet në njoftimin e SBASHK-ut.
SBASHK-u i ka lutur anëtarët e saj që ta “japin maksimumin”, ndërsa ka shprehur shpresën për krijimin e një qeverie të re, “jo si kjo që ishte për më shumë se 4 vite, por një qeveri që është e prirë për dialog, respekt të ndërsjellë dhe për zgjidhjen e kërkesave legjitime dhe tejkalimin e sfidave pa pasur nevojë për protesta e greva”.