Trajneri Maurizio Sarri e ka pranuar se progresi i Juventusit ka stagnuar, mirëpo ka sthuar se ai nuk është i shqetësuar, përkundër që kampioni i Serisë A mezi e nxori një barazim 1 :1 kundër Milanit në ndeshjes e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë në San Siro.
Goditja “volley” e Ante Rebicit e kaloi Milanin në epërsi pas më shumë se një ore lojë në San Siro, pas një dominimi të lojës nga ana e kuqezinjve. Mirëpo, vendasit e pësuan pak minuta më vonë, kur Theo Hernandez u ndëshkua me karton të kuq, transmeton Gazeta Express.
Juventusit iu desh një penallti në minutat e fundit të ndeshjes për ta barazuar rezultatin, përkundër që po luante me një lojtar më shumë. Për më tepër, penalltia u cilësua e padrejtë nga tifozët kuqezinj, përkundër që Davide Calabria u ndëshkua pasi e bllokoi goditjen e Cristiano Ronaldos me dorë.
Ronaldo u tregua i saktë nga pika e penalltisë, mirëpo trajneri i Milanit, Stefano Pioli, argumentoi se ajo penallti nuk duhet të ishte referuar pasi që Calabria kishte qenë i kthyer me shpinë nga topi dhe nuk e kishte bllokuar goditjen me dorë qëllimisht, pasi që as nuk e kishte parë topin.
Ky barazim e shtoi presionin mbi trajnerin Sarri, pasi që Juventusi e ka fituar vetëm një ndeshje nga katër të fundit të zhvilluara në të gjitha garat. Megjithatë, Sarri nuk po shqetësohet nga këto statistika.
“Unë nuk jam i shqetësuar, pasi që shqetësimet e vetme në jetë kanë të bëjnë me shëndetin. Mua më duket si fazë normale për ta përjetuar, është e paimagjinueshme që një skuadër të jetë në të njëjtën ecuri vazhdimisht”.
“Progresi ynë ka stagnuar pak në këto tre javët e fundit, kemi pranuar gola të cilat mund t’i kishim mënjanuar. Megjithatë, ne i kemi pranuar vetëm tri gola sesa skuadra me mbrojtjen më të mirë në Serie A, kështu ky nuk është një problem i madh”. /Gazeta Express/