Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy duket se e ka shfrytëzuar më së mirë kohën gjatë 20 ditëve që qëndroi në burg, duke shkruar një libër prej 216 faqesh.
Libri, me titull “Ditar i një të Burgosuri”, do të dalë në treg më 10 dhjetor, sipas njoftimit të shtëpisë botuese Fayard.
70 vjeçari Sarkozy u shpall fajtor për akuzën se kishte pranuar fonde të paligjshme nga diktatori libian Muammar Gaddafi për fushatën presidenciale të vitit 2007.
Edhe pse qëndroi vetëm 20 ditë në burg, ai ka shkruar mesatarisht 11 faqe në ditë, duke e përshkruar përvojën si “një makth të vërtetë”.
Në libër, ai tregon se zhurma në burg është e pandërprerë dhe se izolimi e bën njeriun më të fortë nga brenda.
Sarkozy u mbajt në një qeli vetëm, i ndarë nga të burgosurit e tjerë për shkak të kërcënimeve me vdekje. Dy oficerë policie qëndronin në roje ditë e natë pranë qelisë së tij.
Pas apelimit të vendimit, gjykata e Parisit e liroi më 10 nëntor nën mbikëqyrje gjyqësore. Aktualisht ai jeton sërish në vilën e tij, së bashku me bashkëshorten Carla Bruni, dhe detyrohet të mbajë një byzylyk elektronik.