Sulmuesi brazilian Neymar është detyruar të pezullojë aktivitetet me klubin e tij Santos, pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nëpërmjet një deklarate të cituar nga mediat braziliane.
33-vjeçari nisi të shfaqte simptoma ditën e enjte dhe menjëherë u largua nga grumbullimi i ekipit. Testet mjekësore konfirmuan infektimin, dhe si pasojë ai është izoluar dhe do të mungojë në ndeshjen e së enjtes kundër Fortaleza, për të cilën ishte gjithsesi i pezulluar për shkak të kartonëve.
Santos nuk ka dhënë një afat për rikthimin e Neymarit dhe nuk ka komentuar më tej pas kërkesës së Reuters për një deklaratë zyrtare. Ndeshja ndaj Fortaleza do të jetë e fundit për klubin përpara ndërprerjes së kampionatit brazilian për shkak të Kupës së Botës për Klube, që do të zhvillohet nga 14 qershori deri më 13 korrik në Shtetet e Bashkuara.
E ardhmja e Neymarit me Santosin mbetet e paqartë, pasi kontrata e tij aktuale skadon më 30 qershor. Deri tani këtë sezon, ai ka marrë pjesë në vetëm 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar tre gola dhe dhënë tre asistime, për shkak të dëmtimeve të shpeshta që e kanë kufizuar në fushë.