Ministria e Financave e Shteteve të Bashkuara ka shtyrë edhe për një muaj zbatimin e sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ka njoftuar Ministria e Minierave dhe Energjisë në Serbi.
Kjo është hera e pestë që vendosja e sanksioneve amerikane shtyhet, për shkak të përfshirjes së kompanisë ruse Gazprom Neft në pronësinë e NIS-it.
Ministria serbe ka bërë të ditur se më herët i është drejtuar SHBA-së me kërkesë për shtyrje 180-ditore të sanksioneve.
“Në këtë moment nuk ishte e mundur të merrej një shtyrje më e gjatë. Kjo është çështje e politikës globale dhe negociatave mes fuqive botërore, të cilat janë shumë komplekse. Serbia, me shtyrjet e deritanishme, ka arritur të mos bëhet kolaterale, por situata mbetet e pasigurt”, ka deklaruar ministrja e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq.
Ajo ka thënë se janë duke u ndërmarrë “masa konkrete për të ulur pasigurinë në funksionimin e NIS-it”.
Sipas saj, më 24 korrik janë zgjedhur anëtarë të rinj të Bordit të Drejtorëve të NIS-it dhe, për herë të parë, një nënkryetar i Bordit – i emëruar nga Qeveria e Serbisë.
Po ashtu, është në proces përzgjedhja e dy anëtarëve të pavarur të Bordit, “me qëllim përmbushjen e kërkesave të Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit të SHBA-së (OFAC) lidhur me menaxhimin e kompanisë”.
“Qëllimi përfundimtar është që NIS-i të hiqet nga lista e sanksioneve e OFAC-ut. Për këtë, më i rëndësishëm është progresi në dialogun mes SHBA-së dhe Rusisë”, ka shtuar Gjedoviq Handanoviq.
Kompania u përfshi në sanksione më 10 janar për shkak të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, që ka të bëjë me lidhjet me kompaninë ruse Gazprom Neft, e cila është nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Vetë kompania i është drejtuar më parë Departamentit të Thesarit të SHBA-së me kërkesë për leje të veçantë për të shtyrë zbatimin e plotë të sanksioneve.
Më 14 mars, NIS-i ka dorëzuar gjithashtu një kërkesë zyrtare për t’u hequr nga lista e sanksioneve.
Ndërkohë, Gazprom Neft ka transferuar rreth pesë për qind të aksioneve të saj te Gazpromi, një kompani ruse që nuk është subjekt i sanksioneve perëndimore, kështu që tani pjesëmarrja e Gazprom Neft në NIS është nën 50 për qind (44.85%).
Megjithatë, kompanitë ruse vazhdojnë të kenë shumicën e aksioneve në NIS, edhe me strukturën e re pronësore.
NIS mbetet kompania e vetme në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës dhe me prodhimin e gazit natyror. /REL