Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë ka qenë e ftuar në Pressing në T7, ku është deklaruar për një sërë çështjesh pas përfundimit të mandatit të saj. Nga sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, tek marrëdhëniet e kësaj të fundit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e deri tek raportet e vetë Osmanit me kryeministrin Albin Kurti, ishin disa nga gjërat për të cilat ish-presidentja dha komentet e saj.
Osmani, e pyetur për sanksionet e BE-së, tha se ajo kanë qenë të padrejta, duke theksuar se sulmet bëheshin nga bandat serbe
“Sanksionet kanë qenë tërësisht të padrejta që i janë vendosur Kosovës përkundër faktit se sulmi atë ditë më 2023 kanë ardhur nga bandat serbe të dirigjuara nga Beogradi. Pastaj kanë qenë keqkuptime të Qeverisë me aleatët tanë. Ne kemi arritur që t’i eliminojmë ato keqkuptime duke diskutuar me aleatët tanë dhe më dhjetor janë hequr ato masa”, deklaroi ajo mbrëmë
Osmani foli edhe për raportet me SHBA’të, duke thënë se këto të fundit mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ish-presidentja tha se, në letrën e urimit për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, të pranuar nga presidenti amerikan Donald Trump theksohet se SHBA mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Aty askund nuk është as “dialogu me Serbinë, as asociacioni..”, “këtë e kemi arritë me shumë punë”, shtoi Osmani.
“Kjo na duhet ne, të ecim përpara me Amerikën”, theksoi Osmani.
“Garancë e shkruar e betonuar nga Presidenti Trump që nuk preket integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës”, tha Osmani duke shtuar se ky qëndrim nuk ka qenë kurrë më i fuqishëm.
Osmani dje tha edhe se me ndihmën e Amerikës janë parandaluar plane ogurzeza të Serbisë edhe pas sulmit në Banjska.
Ajo tregoi se kur kishte ndodhur sulmi kishte zhvilluar telefonata në 3 të mëngjesit.
“Ne një shtet e kemi në krah, është Amerika. Kjo është dëshmuar edhe në ditën e Banjskës dhe të gjithë që punojnë në institucione e dinë fort mirë për çka e kam fjalën. Është dëshmuar edhe kur është sulmuar Ibër Lepenci dhe të gjitha institucionet e dinë shumë mirë kënd e kemi thirrë ne në 3 të mëngjesit në telefon, kush na ka dalë në ndihmë e kush na ka mbyllë telefonin”, tha Osmani në Pressing.
“E dinë institucionet tona që Presidentja e Republikës së Kosovës i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për të parandaluar plane shumë me ogurzeza që kanë qenë përtej Banjskës, pra nuk ka qenë vetëm Banjska në rrezik.. Kemi arritë që në komunikim me Amerikën të parandalojmë plane ogurzeza”, shtoi Osmani mbrëmë, përcjell Express.
Ish-presidentja, u deklarua edhe për raportet e saj me kryeministrin Kurti, duke thënë se ky i fundit e kishte vlerësuar për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit.
Kësisoj, shtoi ajo për të ishte befasi qëndrimi i Kurtit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme.
“Noteri ka kogja shumë kompetenca, pa nënshkrimin e noterit asgjë nuk mund të jetë e vlefshme. Unë kam marrë vetëm vlerësime të larta për përfaqësimin jashtë vendit, për mua ka qenë befasuese qëndrimi i tij i fundit që e do një President që nuk merret me politikë të jashtme”, ka thënë ajo.
Mbrëmë, pos këtyre, Osmani ka folur edhe për sulmet e bëra ndaj saj. Rreth tyre, ish-presidentja, ka thënë se me partitë e tjera politike përkundër se ka pasur dallime, nuk kanë shkuar aq larg me doza të linçimit, duke shtuar se sa më shumë e rrisin dozën e linçimit aq më shumë të e rrit punën në interes të Kosovës.
“Ne kemi pasur dallime me partitë e ndryshme sepse janë evidente pasi janë publike, por kurrë nuk kanë shkuar aq larg me metoda të linçimit, të cilat janë të rrezikshme. Sa më shumë që bëjnë gjëra të tilla ju sigurojnë që më e vendosur bëhem. Sa më shumë që e rrisin dozën e linçimit aq më shumë rris dozën e punës në interes të Kosovës”, ka thënë Osmani. /Gazeta Express