Galatasaray ka realizuar një goditje të madhe në merkaton e verës! Ylli gjerman, Leroy Sané, është lojtari më i ri i kampionëve të Turqisë, duke i dhënë fund aventurës së tij me Bayern Munich.
Lajmi u konfirmua nga vetë gazetari i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili përmes rrjeteve sociale dha sinjalin e famshëm: “Here we go!”
“Leroy Sané te Galatasaray, ja ku jemi! Marrëveshja është nënshkruar – kontratë trevjeçare. Sané do të udhëtojë sonte drejt Stambollit për testet mjekësore dhe firmosjen zyrtare të kontratës”, shkroi Romano.
Sané largohet nga Bayern Munich pas disa sezoneve ku kontribuoi në suksese të shumta në Bundesliga, por kohët e fundit nuk ishte më pjesë kyçe e planeve të klubit bavarez.
Galatasaray e kishte ndjekur prej kohësh dhe më në fund arriti të bindte lojtarin dhe agjentët e tij për një projekt të ri, ku pritet të jetë lider i ofensivës në përpjekjen për dominim të brendshëm dhe suksese në Evropë.
Sané, 28 vjeç, pritet të mbërrijë në Stamboll në orët e vona të mbrëmjes së sotme, ku një pritje madhështore nga tifozët e Galatasaray pritet ta shoqërojë që në aeroport.
Ky transferim sinjalizon ambiciet e mëdha të klubit turk, që pas titullit kampion kërkon ta çojë skuadrën edhe më lart në skenën evropiane.