Do të jetë një “Pazar” i çuditshëm sa u përket klubeve të mëdha evropiane në javët në vazhdim.
Siç e dimë, Botërori i ri i Klubeve do të nisë më 15 qershor dhe do të zgjasë deri më 13 korrik.
Si pasojë, shumë lojtarë do të mbeten të lidhur me fatin e ekipeve të tyre përkatëse në këtë garë për ta kuptuar se kur mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre, shkruan “Gazeta Express”.
Bayern Munichu nuk bën përjashtim në krejt këtë, që ndër të tjera do të jetë ekipi i parë evropian që do të debutojë në kompeticionin e organizuar nga FIFA, duke zbritur në fushën e blertë nga ora 18:00 më 15 qershor kundër Auckland City.
Prej lojtarëve më të kërkuar të Bavarezëve në këtë moment paevitueshëm është Leroy Sane, gjithnjë e më larg Gjermanisë.
Ish-futbollisti i Manchester Cityt në fakt nuk e ka vazhduar ende kontratën e tij dhe shumë shpejt do të jetë i lirë të shkojë ku të dojë.
Fakti se nuk duhet të shpenzohen para për kartonin e tij po i tërheq shumë klube për ta “ngritur presingun” për futbollistin e lindur në vitin 1996.
Siç njofton mediumi britanik “The Telegraph”, interesimi i Arsenalit për të mbetet i fuqishëm, ndërsa “Topçinjtë” janë në avantazh në krahasim me klubet tjera të interesuara për kartonin e tij. /Gazeta Express