Samiti i NATO-s në Bruksel dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë - Gazeta Express
string(62) "samiti-i-nato-s-ne-bruksel-dhe-sfidat-bashkekohore-te-sigurise"

Samiti i NATO-s në Bruksel dhe sfidat bashkëkohore të sigurisë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

14/06/2021 11:11

Sami i NATO-s në Bruksel do të diskutojë për sfidat e sigurisë që ndërlidhen me politikën agresive Ruse, ngritjen e Kinës, kërcënimet terroriste, sulmet kibernetike, Iniciativën 2030 të NATO-s si dhe rolin e saj në Afganistan. Ballkani Perëndimor mund të diskutohet në marxhinat e samitit mirëpo NATO duhet të tregojë vëmendje më të madhe dhe një rol më pro aktiv ndaj vendeve të mbetura jashtë aleancës, e në veçanti Kosovës e cila ka një qasje shumë pro NATO-s.

Shkruan: Besfort Rrecaj

Më 14 qershor 2021 do të mbahet samiti i radhës i NATO-s në Bruksel ku pritet të marrin pjesë shefat e shteteve dhe qeverive të shteteve anëtare të kësaj organizate. Samitet e tilla janë të rralla por më të rëndësishmet nga përmbajtja dhe rëndësia duke marrë parasysh që këtu harmonizohen politikat në lidhje me orientimet e ardhshme të NATO-s dhe sfidat e reja të sigurisë. Sfidat e sigurisë nuk janë të pakta dhe duket që marrëdhëniet transatlantike kanë nevojë për një riparim gjeneral me qëllim të përballjes së tyre. Evropa dhe SHBA-të ndajnë vlera të përbashkëta dhe si të tilla kanë hapësirë shumë të madhe bashkëpunimi. Çdo mungesë bashkëpunimi mund të pasqyrojë pjesë të politikave të liderëve të caktuar të cilët mund ta kritikojnë NATO-n dhe anëtarët e saj me tone jo diplomatike duke rritur kështu tensionet brenda aleatëve. Kjo mund të ketë ndodhur edhe gjatë periudhës së Presidentit Trump i cili kishte një qasje mjaft të ashpër ndaj kësaj organizate dhe aleatëve të tij në Evropë, i cili në një kohë e kishte quajtur NATO-n si organizatë e vjetërsuar apo kur kritikonte aleatët që shfrytëzonin ‘udhëtim falas’ duke kritikuar buxhetet e vogla të tyre të mbrojtjes. Në një mënyrë Presidenti Trump kishte arsyen e tij, mirëpo ndoshta kishte zgjedhur qasjen e gabuar duke ndikuar mjaftë në kohezionin brenda aleancë, madje edhe brenda anëtarëve kryesor sikurse Gjermania, Franca, Italia etj. Megjithatë, një aleancë e mirëfilltë do të nënkuptonte një ndarje të përbashkët të barrës së mbrojtjes dhe kjo nënkupton që shtetet anëtare duhet të japin kontributin e tyre të rëndësishëm dhe të pritshëm. Më qartazi kjo kërkesë shprehet në arritjen e përkushtimit tash e shumë vite të shteteve anëtare që të ndajnë të  paktën 2% të GDP shtetërore për mbrojtje. Edhe sot, statistikat tregojnë që jo të gjitha shtetet janë duke iu përmbajtur kësaj kërkese.

Ardhja e Presidentit Biden duket që do të paraqes një qasje shumë më pozitive dhe më bashkëpunuese me NATO-n dhe me aleatët e saj. Kjo megjithatë nuk do të thotë që SHBA-të do jenë më pak kërkuese por diplomacia dhe qasja do të jetë më ndryshe e që do të ketë pasqyrim pozitiv në frymën bashkëpunuese. Presidenti Biden në konferencën e fundit të sigurisë ne Munih kishte theksuar rëndësinë e forcimit të marrëdhënies transatlantike si e vetmja mënyrë për të përballur sfidat bashkëkohore të sigurisë. Në samitin G7 që u mbajt të premten e kaluar Presidenti ritheksoi se diplomacia është kthyer. Në anën tjetër, sot, në një konferencë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg theksoi se Evropa është e lumtur që ka një mik si SHBA-të por edhe SHBA-të duhet të jenë të lumtura që kanë 29 aleatë të tjerë në kuadër të aleancës.

Në samitin e Brukselit pritet të diskutohen tema të rëndësishme e që konkretisht kanë të bëjnë me lëvizjet agresive Ruse, kërcënimi nga terrorizmi, sulmet kibernetike, teknologjitë e reja dhe përçarëse, ndikimi i ndryshimeve klimatike në siguri, ngritja e Kinës dhe Iniciativa 2030 e NATO-s. Një pikë e rëndësishme e cila gjithnjë e më shumë po merre vëmendjen nga sektori i sigurisë janë ndryshimet klimatike dhe ndikimi i tyre në siguri. Kjo do të diskutohet në këtë samit me qëllim që t’i jepet një nxitje të vështrimit më të afërt të ndryshimeve klimatike që mund të ndikojnë në zhvendosjen e popullatës nga territore të tëra të cilat mund të jenë të goditura nga thatësira apo fatkeqësi tjera natyrore për të okupuar territore tjera me qëllim të ruajtje së ekzistencës. Besoj që një nga pikat më të rëndësishme do të duhej të ishte miratimi i një koncepti të ri strategjik përmes të cilit NATO do të formulonte strategjinë dhe politikën e saj karshi këtyre kërcënimeve.

Për më shumë gjatë takimit do të diskutohet edhe për misionin e NATO-s në Afganistan por edhe një temë e rëndësishme që ka të bëjë me përkrahjen publike të NATO-së nga qytetarët e shteteve anëtare. Nga sondazhet e ndryshme, duke që ka variacione të ndryshme sa i përket opinionit publikë për NATO-n ku ndër vendet me përkrahjen më të vogël është Sllovakia me rreth 60% ndërsa qytetarët e Shqipërisë në anën tjetër përkrahin aleancën në masën 95%. Edhe pse ka një variacion të mbështetjes publike, në përgjithësi NATO gëzon një mbështetje në nivel të lartë. Kjo është shumë e rëndësishme pasi që aleanca vepron në suaza demokratike dhe normalisht që opinioni publik ka rëndësi të madhe në këtë drejtim dhe NATO i kushton një rëndësi jashtëzakonisht të madhe.

Sa i përket Ballkanit, NATO e sheh këtë pjesë si pjesë të përgjithshme të kontrollueshme të interesave të saj të sigurisë, duke qenë se shtetet e mbetura jashtë aleancës tashmë janë të rrethuara me shtetet anëtare të NATO-s. Për këtë arsye kjo pjesë e Evropës nuk do të jetë një nga pikat kryesore të samitit. Mbështetja publike në shtetet anëtare të NATO-s  në këtë pjesë mund të ketë një luhatje sidomos në Mal të Zi dhe Maqedoni kur mund të vërehet një ndikim më agresiv rus ndërsa ne vendet tjera mbështetja publike duket më stabile. Ndërsa, nga tre vendet që kanë mbetur jashtë aleancës Kosova ka mbështetjen më të lartë derisa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina kanë një qasje komplekse dhe negative për shkaqe historike, politikave populiste si dhe ndikimit rus i cili shtrihet përmes marrëdhënieve kulturore-historike, politike si dhe biznesore.  Interesin për një Ballkan në paqe e shprehu edhe Presidenti Biden i cili përmes një urdhri ekzekutiv caktoi veprimet të cilat do të përbëjnë rrezikun për sigurinë dhe paqen në rajon dhe ndaj të cilave do të ketë masa konkrete kundërvënëse.

Evropa Jug-Lindore, pjesë e të cilës është edhe Ballkani perëndimor paraqet një rol të rëndësishëm në arkitekturën e përgjithshme të sigurisë, andaj avancimi i marrëdhënieve me vendet e mbetura do të kompletonte aleancën në këtë rajon dhe eventualisht do të minimizonte në maksimum influencën e huaj. NATO duhet të ketë një ndërveprim më të theksuar me Kosovën e cila ka vullnetin më të madhe për anëtarësim në këtë organizatë me një mbështetje të ngjashme me atë të Shqipërisë. Edhe pse një shtet i vogël si Kosova karshi një aleance më të fuqishme që ka njohur historia deri më sot, NATO nuk mund të ketë lehtësinë e neglizhimit të Kosovës në vazhdimësi duke marrë parasysh sfidat e mëdha, me një agresivitet gjithnjë në rritje, me të cilat do të  vazhdojë të përballet ajo ku i nevojitet çdo kapacitet i mundshëm njerëzor dhe jo-njerëzor nga shtetet evropiane liberale-demokratike.

/Besfort Rrecaj, Profesor i së drejtës ndërkombëtare, Fakulteti Juridik, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”