Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës, për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, me fokus kryesor perspektivën evropiane të rajonit dhe zbatimin e Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Samiti, i cili mbahet nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviç, dhe drejtohet nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Në thelb të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së, shkruan rtsh.al.
Sllovenia, një nga nismëtaret e procesit që filloi në vitin 2013, pritet të theksojë edhe një herë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet mjeti “më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.” Përveç rritjes ekonomike, takimi do të fokusohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrja e lartë rajonale
Në takimin e rëndësishëm në Shqipëri është konfirmuar pjesëmarrja e të gjithë anëtarëve të Iniciativës (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia).
Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, si dhe Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Iniciativa Brdo-Brioni synon të lehtësojë përpjekjet e vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shpërndarja e fondeve
Një nga pikat kryesore të samitit në Durrës është Plani i Rritjes i BE-së, për të cilin Bashkimi Evropian ka krijuar një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027. Këto fonde synojnë të përshpejtojnë reformat dhe të nxisin konvergjencën ekonomike të rajonit me BE-në.
Shpërndarja e fondit për vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të jetë si vijon:
Shqipëria: Mbi 920 milionë euro
Serbia: Mbi 1.5 miliard euro
Bosnja dhe Hercegovina: Rreth 900 milionë euro (pas uljes me 10% për shkak të vonesave në plan)
Kosova: 880 milionë euro
Maqedonia e Veriut: Mbi 750 milionë euro
Mali i Zi: 380 milionë euro
Historiku i iniciativës Brdo-Brioni
Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. Atje, udhëheqësit u angazhuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.