Para mbledhjes së Samitit të Bashkimit Europian në Bruksel, duket se shpresat për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë të zbehta.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si turp për Europën që ende vijon me çështjen Bullgare që ka bllokuar negociatat me Maqedoninë e Veriut, rrjedhimisht edhe me Shqipërinë, duke qenë se çështja trajtohet në bllok për dy vendet.
“Është një ditë e re në Evropë, por jo në Bullgari! Sa turp për Evropën kjo çështje bullgare”!
Sipas Ramës 26 vendet e BE-së, vetëm po vështrojnë se si Bullgaria ka marrë peng dy vende të NATO-s. “Në mes të një lufte shumë të nxehtë në oborrin e pasmë të Evropës, një vend i NATO-s rrëmben dy vende të tjera të NATO-s nën mbikëqyrjen e 26 vendeve të BE-së që qëndrojnë të qetë në një shfaqje të frikshme impotence”!
Në një tjetër dalje në media nga Brukseli kryeministri ka akuzuar Bullgarinë duke thënë se ajo në mënyrë të turpshme po mban peng anëtarësimin e dy vende anëtare të NATO-s.
Teksa u pyet nëse ka frikë se do të jetë Shqipëria, viktimë, Rama tha: “Ne s’do të jemi kurrë viktimë se e dimë që në këtë rrugë ka një Bullgari këtu dhe një Bullgari atje, por ne nuk e ndryshojmë kursin tonë dhe do e ndërtojmë Europën në vendin tonë”.
I pyetur nga media Bullgare Rama u tha se vendi i tyre është një turp i vërtetë. “Ohh Bullgaria këtu. Jeni rrëmujë ju djema. Një rrëmujë e madhe dhe jeni një turp teksa mbani peng dy vete të tjera të NATO-s. Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi por këtu jemi dhe është një ditë e re në Europë por jo në Bullgari”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit gjithashtu u shpreh kritik për 26 vendet anëtare të unionit, pasi sipas tij po ulen dhe po shfaqin një skenë impotence.
/Express