Shkruan Gjeneral Piro Ahmetaj
Sytë/vëmendja e kancelarive, institucioneve, instituteve, medias dhe ekspertëve të sigurisë globale janë drejtuar nga Haga (Holanda), ku sot dhe nesër do të zhvillohet Samiti i 34-ërt i Aleancës së Atlantikut të Veriut. I angazhuar në “forumin e Senior Ekspertëve të NATO-s”, dëshiroj që të ndaj një përmbledhje strategjike mbi mjedisin e sigurisë si dhe “7 pritshmëritë dhe 7 rekomandimet” për 32 vendet anëtare (përfshi RSH), që do të përcillen nga ky samit historik:
Pikë së pari, samitet nuk janë “rutinë e përvitshme”, por veçanërisht, Haga do të skalitet si një ngjarje madhore, pasi do të adresojë një nga udhëkryqet më kritike të historisë së njerëzimit mbas përfundimit të Luftës së II Botërore dhe themelimit të Aleancës (4 prill 1949) si dhe ka qëllim: “Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes për të modernizuar fuqinë e pamposhtur ushtarake si dhe procesin e vendimmarrjes së Aleancës”. Në historinë 76-vjeçare të NATO-s, nga gjithsej 34 samite, vetëm 9 prej tyre janë zhvilluar gjatë Luftës së Ftohtë. Trefishimi samiteve mbas 1990 dhe dyfishimi hartës së zgjerimit (nga 16 në 32 vende), flasin më fort se të gjitha fjalimet për dinamikën e kërcënimeve në 25 vitet e fundit, por edhe e legjitimojnë NATO-n si: “Aleanca më afatgjatë, më e fuqishme dhe më suksesshme e historisë së njerëzimit”!
Së dyti, ky samit do të jetë historik pasi: “Mbahet 2 ditë mbas goditjes historike së SHBA ndaj bazave bërthamore të regjimit të Teheranit; 3 vjet e gjysmë mbas agresionit neonazist të Rusisë-Putiniste kundër sovranitetit të Ukrainës dhe në kulmin e përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme, të cilat kërcënojnë më shumë se kurrë më parë paqen, rendin e sigurisë globale, vlerat e demokracisë dhe statuskuonë gjeopolitike të vendosur mbas Luftës së Ftohtë”. Në këtë mjedis të sigurisë, prioriteti nr.1 i agjendës së Hagës do të jetë modernizimi i fuqisë së pakonkurrueshme ushtarake, përfshi armët bërthamore/deterrence: “për shkurajimin dhe shpagimin/hakmarrjen ndaj armiqve që guxojnë të kërcënojnë apo sulmojnë Aleancën”. Ndaj, mbas këtij Samiti, Forcat e Gatishmërisë së Lartë të NATO-s planizohen të arrijnë në mbi gjysmë milion (si asnjëherë në 76 vjet), si dhe do të trefishohen kapacitetet e luftimit të Forcave Ajrore dhe Detare! Për sa u përket kërcënimeve fatale të “udhëheqësve Supremë”, Putinit, Khamenei, Kim Jong, etj., se: “Do t’i bëjnë gjëmën qytetërimit duke përdorur armët bërthamore”, përgjigja nga Samiti i Hages pritet të jetë e ftohtë, por e fortë: “Nëse vetëm do të guxojnë, veçmas ose në aleancë, jo vetëm do ndëshkohen në mënyrë shembullore nga fuqia ushtarake e USA/NATO/UK/BE, por dhe do të damkosen përjetësisht si shtete terroriste”!
Së treti, mbas 1260 ditë/net luftimesh të përgjakshme në fushëbetejën “jo vetëm për Ukrainën”, por edhe ndaj kredibilitetit, fuqisë ushtarake dhe interesave gjeopolitike të Aleancës, ky samit do të skalitet si ndër ngjarjet më madhore, pasi krerët e 32 shteteve anëtare, mblidhen për të demonstruar: “Vullnetin politik, kohezionin e palëkundur si dhe vendosmërinë për ta mbështetur Ukrainën dhe Izraelin deri në fitoren e luftës kundër së keqes së përbashkët, si dhe ndaj njerëzimit”. Konkretisht, në Hagë, NATO do të konfirmojë mbështetjen e pakompromisë për Ukrainën: “mbi 500 miliardë euro armatime të gjeneratës së fundit (300 miliardë euro nga USA dhe 200 miliardë euro nga vendet e tjera, BE, etj.”, pasi për Aleancën Euroatlantike: “Nuk ka opsion tjetër përveçse fitores me çdo çmim të luftës ndaj tiranëve të Kremlinit, Teheranit dhe çdo diktatori tjetër të dalldisur nga fuqia e mbipushtetit”.
Së katërti, do të rikonfirmohet “domosdoshmëria kritike për të modernizuar industrinë, armatimet, sistemet dhe infrastrukturat ushtarake, duke rritur deri 5 % buxhetin e mbrojtjes”, në mënyrë që NATO të mbetet e pathyeshme (dhe vdekjeprurëse) për të garantuar mbrojtjen kolektive (artikulli-5): “Ndaj çdo kërcënimi, nga çdo drejtim dhe ndaj cilido armik potencial”. Kështu, Samiti i Hagës pritet të miratojë projekte me peshë për modernizimin e armatimeve, infrastrukturave, sistemeve, mbrojtjen kibernetike, dronëve, inteligjencën artificiale, integrimin e kompanive private, si dhe kohezionin e shoqërisë ndaj kërcënimeve të sigurisë në hapësirën euroatlantike. Së pesti, mbas zgjerimit me Suedinë dhe Finlandën si kundërpërgjigje e luftës neonaziste të Rusisë, në Samit pritet të rikonfirmohet “politika e dyerve të hapura” edhe për Kosovën, Bosnje-Hercegovinën, si dhe forcimin e bashkëpunimit me vendet me “status të privilegjuar” me Australinë, Japoninë, Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Izraelin etj.. Përsa posaçërisht Ukrainën, Sekretari Përgjithshëm, Mark Rutte, ka përsëritur se: “Mbas fitores së luftës, Ukraina do të jetë vendi 33 i Aleancës”, ndërsa pikërisht mbas këtij, samiti do të rifunksionojë “Komiteti NATO – Ukrainë”, ose e thënë më qartë, një hap më afër anëtarësimit.
Së gjashti, 42 muaj luftime të përgjakshme dhe sulmi befasishëm me dronë vërtetuan se Kremlini e ka humbur me turp krenarinë për “paprekshmërinë territoriale, si dhe iniciativën strategjike të luftës ndaj Ukrainës. Ndërsa është fakt se përtej propagandës helmuese, në 3 vjet e 6 muaj luftë, vetëm 19% e territorit të Ukrainës mban ende nën kontroll”. Po ashtu, ka (keq)humbur edhe shpresat për të minuar kohezionin mes SHBA, NATO-s dhe BE-së. Për më tepër, 32 vendet e NATO dhe BE e mirënjohin “rolin jetik të SHBAve”, pasi përveç të tjerave, me rreth 1 trilion USD (buxheti-2024) ose 2 herë më shumë se 31 vendet e tjera së bashku, USA mban barrën kryesore të shpenzimeve, fuqisë dhe angazhimeve ushtarake të NATO-s. Si shembull i këtij partneriteti, përmendim se krerët e 27 vendeve të BE-së, 7 muaj më parë miratuan një Plan Veprimi (2025-2030) dhe paketë ambicioze kapacitetesh me 500 miliardë euro (20-fishin sa aktualisht), me qëllim: “Ngritjen e një ushtrie të aftë për t’u vetëpërballur me kërcënimet jo vetëm nga Rusia”.
Së shtati, në këtë samit do të adresohet fakti se paqja, siguria, vlerat demokratike mbeten të kërcënuara jo vetëm nga lufta neo-naziste në Ukrainë, por edhe për shkak të demokracisë fasadë, politikanëve dhe pushtetarëve të korruptuar, si dhe rikthimi i frikshëm i garës së armatime në Ballkanin Perëndimor etj.! Ndërkohë Rusia–Putiniste e ka humbur edhe betejën për të ndezur një front lufte me ekstremistët e tipit Dodik, duke kërcënuar deri “me agresion ushtarak” jo vetëm sovranitetin territorial të Kosovës, por edhe prezencën e KFOR-t si dhe statuskuone dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Euroatlantike në Ballkan. Prandaj në Samit priten mesazhe të qarta mbi domosdoshmërinë kritike për zhvillimin e frymës dhe projekteve të bashkëjetesës paqësore, Masave të Mirëbesimit Reciprok si dhe të dialogut pa kushte për paqen dhe agjendën e integrimit euroatlantik edhe të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në shtesë, në kapacitetin e “Ekspertit për Sigurinë Kombëtare, Rajonin si dhe kontributeve përfaqësuese në udhëtimin 30-vjeçar të RSH drejt/pas anëtarësimit në NATO” (1994-2025), po parashtroj reciprokisht edhe 7 rekomandime strategjike për angazhimet e RSH në/përtej këtij Samiti Historik:
1. Partneritet strategjik, kohezion dhe konsensus të pakushtëzuar (krah SHBA-ve) për të gjitha vendimmarrjet dhe angazhimet e NATOs në interes të mbrojtjes kolektive (artikulli 5); mbështetjen “më shumë se modeste” ndaj Ukrainës si dhe rol/vend lider në projektet e bashkëjetesës paqësore, stabilitetit demokratik, interesave gjeopolitike dhe agjendës euroatlantike në Ballkan.
2. Transformimin e Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare (SS dhe MbK), në përputhje me Konceptin e Mbrojtjes Kolektive, duke përditësuar, transformuar dhe modernizuar: “aftësitë operacionale si dhe kulturën e bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për: mbrojtjen e integritetit territorial të RSH (neni 5); zhvillimin e interesat gjeopolitike të RSH/RK, promovimin e vlerave euro-atlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve për të merituar me dinjitet karrigen në tavolinën e NATO-s”.
3. Rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga 2, në 3% deri 5% më 2030, çka nuk është kurrsesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump apo qokë për Brukselin”, por si një domosdoshmëri për të modernizuar kapacitetet e Forcave të Armatosura si dhe fuqinë ushtarake të RSH në përmbushje të misionit kushtetues. Angazhimin se do të përmbushë përgjegjësitë e vendit pritës (Host Nation), në modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, mbrojtjen kibernetike, industrinë ushtarake në interes/bashkëpunim me SHBA/NATO etj. detyrime që burojnë nga SOFA, protokolli i Parisit etj. marrëveshje që RSH i ka nënshkruar para vitit 2013.
4. Mbështetjen pa kompromis si dhe promovimin e përpjekjeve të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës për anëtarësim në NATO, duke konfirmuar në Hagë se kjo “qasje mençur” e zgjeron garancitë e paqes së qëndrueshme në Rajon. Po ashtu, të konfirmohet ambicia për një roli/vend lider në zhvillimin e projekteve të përbashkëta me Kosovën si dhe vendet e Ballkanit (përfshi Serbinë) ndaj kërcënimeve asimetrike: “terrorizmi, mbrojtjen kibernetike, krimi i organizuar, emergjencat civile etj.”.
5. Ndërsa aktorët politikë, si dhe faktorët shtetërorë të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare do i këshilloja që: “Humbja e luftës, kolapsi ekonomik si dhe diskreditimi ndërkombëtar që e pret Rusinë–Putiniste si dhe shtetet dhe organizatat terroriste mbas luftës, mbartin rrethana të favorshme (jo dhuratë) gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSH/RK në tavolinat e vendimmarrjeve të mëdha (SHBA/ NATO/BE), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë”.
6. Reformat për modernizimin SS dhe MbK kanë domosdoshmëri për gjithëpërfshirje, konsensus të gjerë, harmonizimin demokratik të pushteteve si dhe kohezionin e shqiptarëve ndaj interesave kombëtare. Prandaj i bëj thirrje arsyes fisnike të faktorëve mendjehapur të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare, që: “Asnjë groshë nuk vlejnë as dalldisja staliniste nga 16 vjet pushtet, as dëshpërimi i demokrate/ëve nga humbja e 4-t radhas, as këmbënguljes bolshevike për (mos)zgjedhjen e KryeKuvendarit mbas 30 raundesh”, por: “vetëm dashuria ndaj vendit, përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi dhe bekimi ndaj partneritetit strategjik SHBA, NATO dhe agjendën e integrimit në BE”!
7. Fatkeqësisht edhe zgjedhjet e 11 majit me 95 rrogëtar të emëruar nga Kryetarët e Madhërishëm, demonstruan demokracinë fasadë dhe shtetin e dështuar. Pra, në kushtet që “Parlamenti është përdhosur dhe Presidenti nuk ka as fuqi, as kapacitet, as emër dhe as integritet për të balancuar fuqinë e mbipushteteve”, e çmoj emergjente dhe e këshilloj publikisht kryeministrin fuqiplotë që përtej delireve nga fuqia e (mbi)pushtetit, qillotat e Kuçit dhe atletet në samite: “të ndërmarrë një proces gjithëpërfshirës transformimi dhe modernizimi të sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare”, si dhe: “të ngrejë një grup ndërqeveritar për të mirorganizuar ngjarjen më të rëndësishme gjeopolitike në 115 vjet histori kombëtare (Samiti 36 i NATO-s), që do të zhvillohet në Tiranë më 2027, ku krahas 32 kryetarëve të shteteve (pa lejen e Bardhit të Zengjinesë dhe për inat të Mule/ ëve) do të marrë pjesë edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump”! Për ta përmbyllur, besoj edhe më fort që ky samit është i “destinuar për të bërë histori”, pasi do të miradresojë një nga udhëkryqet më kritike për sigurinë, paqen, rendin global dhe vlerat demokratike jo vetëm në hapësirën euroatlantike. Nga ana tjetër, mbetem shpresëplotë se në Hagë do të themelohet NATO e gjeneratës tjetër, pra: “Aleanca më e fuqishme e njerëzimit edhe për 75 vitet që vijnë”!