Kryeministri i Ukrainës tha se samiti Ukrainë-Bashkimi Evropian do të mbahet të premten, teksa ky shtet po vazhdon të përballet me pushtimin e Rusisë.
“Samiti Ukrainë-BE do të mbahet në Kiev më 3 shkurt”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmygal, gjatë takimit të Qeverisë të martën. Ai tha se kjo ngjarje është “jashtëzakonisht e rëndësishme” për synimin e Kievit që të anëtarësohet në bllokun evropian.
“Fakti që ky samit do të mbahet në Kiev është një sinjal i fuqishëm edhe për partnerët, edhe për armiqtë”, theksoi Shmygal.
Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë detaje se kush do të marrë pjesë në këtë samit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, dhe forcat e tij vazhdimisht kanë sulmuar infrastrukturën civile, përfshirë edhe në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Shmygal tha se fakti që ky samit i profilit të lartë do të mbahet në kohën kur po vazhdon lufta, është dëshmi për Rusinë se përpjekjet e saj për të ndjellë mosmarrëveshje midis aleatëve perëndimorë të Kievit dhe për të parandaluar anëtarësimin e Ukrainës në BE kanë qenë të kota.
Kryeministri ukrainas tha se edhe një ngjarje kyçe do të zhvillohet të enjten, kur konsultimet midis Qeverisë së Ukrainës dhe Komisionit Evropian do të mbahet “për herë të parë në historinë tonë”.
Ukraina ka marrë statusin e vendit kandidat për në BE qershorin e vitit të kaluar.
Shtetet e BE-së e kanë mbështetur me vendosmëri Ukrainë që kur Moska nisi pushtimin në shkurt, duke goditur Rusinë me një valë ndëshkimesh ekonomike dhe duke i dërguar armë Kievit./REL
NJOFTIM Agjencia Kosovare e Privatizimit njofton të gjithë ish punëtorët e Ndërmarrjeve Shoqërore: Mulliri në Gorazhdec, KB Ponoshevci në...