Salih Mustafa nis sot ballafaqimin me Prokurorët e Specializuar në Hagë - Gazeta Express

Salih Mustafa nis sot ballafaqimin me Prokurorët e Specializuar në Hagë

Lajme

Gazeta Express

28/09/2020 7:05

Nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë vitit 1999, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, do të dalë për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara, të hënën (sot), më 28 shtator në orën 15:00.

Mustafa u arrestua më 24 shtator pasi i ishte konfirmuar aktakuza për dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.

Siç njoftuan Dhomat e Specializuara, seanca e parë gjyqësore ndaj Salih Mustafës do të jetë e hapur për publikun dhe mund të ndiqet përmes video-linkut.

Arrestimi i Mustafës ishte i pari që nga themelimi i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – që njihen edhe si Gjykata Speciale – në vitin 2015.

Sipas rregullores, në paraqitjen e parë të të akuzuarit, ai informohet se brenda 30 ditësh do t’i kërkohet të deklarojë nëse është fajtor ose i pafajshëm për çdo akuzë.

Pas konfirmimit të aktakuzës dhe paraqitjes së parë të të akuzuarit, gjykatësi i procedurës paraprake bashkërendon komunikimin ndërmjet palëve deri në momentin kur çështja i kalohet trupit gjykues dhe siguron që të mos ketë vonesa dhe merr të gjitha masat e nevojshme për përgatitjen e shpejtë të çështjes për gjykim.

Çfarë përmban aktakuza ndaj Salih Mustafës?

Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se aktakuza ndaj Salih Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të këtij viti.

Në bazë të aktakuzës, Mustafa dyshohet për disa vepra penale, përfshirë torturën dhe vrasjen e paligjshme.Aktakuza ndaj Salih Mustafës

“Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”, kanë njoftuar Dhomat e Specializuara më 24 shtator.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”.

“Ata u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës”, thuhet në aktakuzë.

Gjithashtu, pretendohet se në këtë lokacion ishte vrarë një i ndaluar gjatë muajit prill të vitit 1999.

Ndër tjerash në aktakuzë, po ashtu, theksohet se “Salih Mustafa, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së”, mori në pyetje dhe rrahu një person –identiteti i cilit është fshehur apo redaktuar – “dhe urdhëroi të tjerët që ta rrihnin”.

Siç shtohet në aktakuzë, atë e shqelmuan, e goditën me grushte dhe e rrahën me shkopinj. Sipas aktakuzës, atij i është thënë se ishte spiun dhe se do ta vrisnin.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ishte komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ky njësit, siç thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj Mustafës, kishte rreth 600 ushtarë dhe vepronte në zona urbane si Prishtina dhe Obiliqi.

Sipas aktakuzës, ky njësit e përdori kompleksin në Zllash si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Viktimat e këtyre krimeve, që pretendohen në aktakuzë, ishin të gjithë shtetas të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime, thuhet në aktakuzë.

Arrestimi i krerëve të OVL të UÇK

Një ditë pas arrestimit të Salih Mustafës, një bastisje prej më shumë se 8 orësh u krye të premten, më 25 shtator, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aksioni i bastisjes u krye nga zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Ky aksion rezultoi me arrestimin e kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati si dhe nënkryetarit të kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan dhe u dërguan në mbajtje në Hagë për dyshimet për veprat penale “kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”.

Arrestohen krerët e veteranëve të UÇK-së

 EMBED SHPËRNDAJEThe code has been copied to your clipboard. 

The URL has been copied to your clipboard 

No media source currently available0:000:02:202:06 Linku direkt 

Arrestimi i tyre ndodhi pasi ata kanë organizuar tri konferenca për media në të cilat ata, sipas Dhomave të Specializuara, kanë bërë të qasshme për mediat informacione dhe dokumente konfidenciale që kanë të bëjnë me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gucati po ashtu akuzohet se nuk ka intervenuar kur Nasim Haradinaj (nënkryetari i OVL të UÇK-së) ka përmendur emrin e një dëshmitari dhe ka dhënë informacione lidhur me vendin ku ai banon dhe të dhëna të tjera personale.

Enigma e dosjeve

Tri herë radhazi Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendoi se ka pranuar mijëra dosje origjinale të hetimeve që kanë kryer prokurorët e Gjykatës Speciale.

Këto dokumente, disa prej të cilave iu shpërndanë mediave, sipas OVL të UÇK-së përmbanin dëshmitë dhe emrat e dëshmitarëve që kishin dëshmuar kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që mund të jenë të akuzuar potencialë.

Mirëpo pavarësisht këtyre pretendimeve, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë konfirmuar autenticitetin e këtyre dosjeve.

Përmes një reagimi, Prokuroria e Specializuar në Hagë tha se disa aktivitete, në të cilat ishte përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.

Rasti Thaçi –Veseli

Zyra e Prokurorit të Specializuar poashtu ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur për shqyrtim te Dhomat e Specializuara edhe një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Në këtë aktakuzë, sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.

Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Që nga publikimi i këtij informacioni në muajin prill, Dhomat e Specializuara ende nuk kanë njoftuar për konfirmim ose jo të aktakuzës.

Sipas procedurës, një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat apo jo.

Ndryshe, Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill.