Anglia ka rikthyer Bukayo Saka për ndeshjet e javës së ardhshme kundër Uellsit dhe Letonisë, por nuk ka vend për Jude Bellingham, Phil Foden apo Jack Grealish.
Sulmuesi i Arsenalit, Saka, mungoi muajin e kaluar në fitoret e kualifikueseve të Botërorit kundër Andorrës dhe Serbisë për shkak të një lëndimi në kofshë.
24-vjeçari së fundmi është rikthyer me Arsenalin dhe shënoi në fitoren 2-0 ndaj Olympiacosit të mërkurën.
Saka vjen në vend të shokut të skuadrës, Noni Madueke, i cili do të mungojë deri në nëntor për shkak të një dëmtimi në gju.
Mbrojtësi i Bayer Leverkusen, Jarell Quansah, zëvendëson Tino Livramenton e Newcastle, i cili pritet të mungojë deri në tetë javë pasi pësoi një lëndim në gju ndaj Arsenalit fundjavën e kaluar.
“Të Tre Luanët” do të përballen me Uellsin në një miqësore në Wembley të enjten, përpara një ndeshjeje kualifikuese të Botërorit në Riga më 14 tetor.
Nëse Anglia fiton në Letoni, do t’i nevojiten maksimumi dy pikë nga dy ndeshjet e fundit kualifikuese, kundër Serbisë dhe Shqipërisë në nëntor, për të siguruar pjesëmarrjen në turneun e verës së ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.