Allan Saint-Maximin është kthyer te Al-Ahli pas përfundimit të huazimit të tij te Fenerbahçe në Turqi – një periudhë që francezi nuk e kujton me nostalgji.
Ish-anësori i Newcastle United tani ndodhet sërish në Arabinë Saudite, por ka shprehur publikisht dëshirën për të u rikthyer “së shpejti” në Ligue 1, duke përmendur veçanërisht klubin e tij të mëparshëm, OGC Nice.
E ardhmja e tij mbetet e paqartë, por deklaratat e fundit kanë ndezur polemika.
Në një intervistë me streamer-in francez Zack Nani, Saint-Maximin bëri një akuzë të fortë ndaj Fenerbahçes, duke pretenduar se klubi ka tentuar ta detyrojë të shkelë rregullat e dopingut.
“Me mua shkuan deri aty sa të më bëjnë të shkel rregullat e dopingut, vetëm për të treguar sa serioze ishte situata. Këto janë gjëra që njerëzit nuk i dinë. Nuk flet, sepse më pas kërcënohesh. Kjo shkon përtej futbollit,” tha ai.
Pas reagimeve të shumta në rrjetet sociale, Saint-Maximin sqaroi deklaratat e tij në një postim në X (ish-Twitter):
“Po shoh që videoja po qarkullon gjithandej në Twitter, ndaj dua të saktësoj atë që thashë. Po flisja për njerëz përreth klubit që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka,” shkroi ai.
Ai shtoi më tej: “Në rastin tim, kur isha i sëmurë, për pak më dhanë një trajtim që konsiderohet si produkt dopingu. Nuk e di çfarë synimi kishte ky ekip mjekësor.”
Fenerbahçe ka reaguar menjëherë përmes një deklarate në X:
“I ndjekëm me habi deklaratat e bëra nga Saint-Maximin […] fakti që lojtari ka shtrembëruar të vërtetën rreth trajtimit që mori pas një problemi shëndetësor, është një përpjekje për të dëmtuar reputacionin e klubit,” thuhet në reagim.
Saga e Saint-Maximin me Fenerbahçen duket larg përfundimit, ndërkohë që vëmendja tashmë është përqendruar te e ardhmja e tij në futbollin evropian./GazetaExpress/
NJOFTIM PËR TË GJITHË KREDITORËT DHE PRONARËT E NDËRMARRJEVE TË VENDOSURA NË PROCESIN E LIKUIDIMIT NGA AGJENCIA KOSOVARE E...