Saimir Tahiri dërgon çështjen e tij në Gjykatën e Lartë - Gazeta Express
string(55) "saimir-tahiri-dergon-ceshtjen-e-tij-ne-gjykaten-e-larte"

Gazeta Express

10/08/2020 13:04

Saimir Tahiri dërgon çështjen e tij në Gjykatën e Lartë

Gazeta Express

10/08/2020 13:04

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela kanë vendosur të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Vendimi i Apelit e ktheu edhe njëherë në pikën zero çështjen e ish-ministrit Tahiri. Ai është nën akuzë për trafik narkotikësh në kuadër të grupit kriminal. Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi Tahirin e Çelën për “shpërdorim detyre”.

Lexo Edhe:

Ky vendim u apelua nga Tahiri dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të prishë këtë vendim duke e kthyer çështjen përsëri në shkallën e parë pasi sipas saj, Prokuroria është kontradiktore pasi ka ngritur akuzë të re ndaj Tahirit për “kultivim narkotikësh”.

Apeli i Posaçëm e cilëson të gabuar edhe vendimin e gjykatës së shkallës së parë, duke u shprehur se gaboi në rikualifikimin e veprës penale.

Po ashtu thuhet ndër të tjera se Tahirit dhe Jaeld Celës nuk iu dha mundësia të mbroheshin për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.

“Megjithëse nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve gjykata vërën situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri, në periudhën respektive, të cilat nuk gjejnë argumentim e dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri”, thuhet në dokument.

Gjykata e cilëson si jopërfundimtar vendimin që është marrë në Katania të Italisë pasi nuk plotëson kushtet. Nga ana tjetër janë shkelur disa dispozita nga Prokuroria për akuzat e reja ndaj Tahirit dhe Jaeld Çelës si dhe në rikualifikimin e veprave penale nga Gjykata e Krimeve të Rënda e cila ka dhënë edhe një vendim më parë por që Gjykata e Posaçme e Apelit e hodhi poshtë.

Tahiri e ka cilësuar si të padrejtë këtë vendim dhe një zvarritje të qëllimshme. Për këtë arsye ai duket se e ka çuar çështjen në Gjykatën e Lartë për të kërkuar mbylljen e saj. Kujtojmë se Gjykata e Lartë prej më shumë se një viti nuk është funksionale.